Kryedemokrati Basha po potencon këto kohë dy arritje të PD-së kur qe në qeveri, të cilat ai i konsideron si kolateral i fortë politik në synimin për riqeverisje: anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave. Madje i shton dhe pavarësimin e Kosovës, duke e ndërlidhur atë me të qënit e tij ministër të Jashtëm asokohe. Por nëse kjo e fundit qartazi është një sajesë e sforcuar – për pavarësinë e Kosovës edhe Kosova vetë apo personazhet e saj kanë pak ose aspak rol – le të ndalemi te dy të parat.
Si në shumëçka në ligjërimin e PD-së dhe Bashës personalisht, mungon fjala “reformë”, si për të djeshmen në qeverisje e si për qeverisjen që synohet. Në politikë, “reforma” është identifikim i suksesit. Ndaj, normalisht, në evokimin e së djeshmes në qeverisje, Basha, si ushtrues i disa portofoleve ministrore, do duhej të fliste për reformat që ka ndërmarrë në secilën prej tyre, duke e pasuar me treguesit në vite të rezultateve konkrete.
Fjala vjen, në ligjërimin demokrat mungon një arritje në aksh sektor, ardhur nga një reformë e thellë, për të cilën do thoshte se të tilla ia lamë PS-së, por që qeverisja e saj e dreqosi. Dhe mundësisht jo me retorikë por me referenca krahasuese, të cilat pothuajse nuk ekzistojnë fare në komunikimin publik të PD-së.
Por a janë realisht anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave arritje të PD-së? Parë thjesht, jashtë konteksteve politike dhe diplomatike, po. Por me pak analizë vertikale, duke mos ndenjur në sipërfaqe, më së shumti janë arritje në kohën e PD-së sesa të PD-së.
E para, anëtarësimi në NATO, dihet që ka qenë një proces disavjeçar, i cili është gatuar, në një përqindje jo të vogël, dhe gjatë qeverisjes së PS-së, sipas hapave dhe procedurave. Finalizimi nën qeverisjen e PD-së, është koha e finalizimit si proces, i padiktuar nga zhvillime të brendshme politike. Sepse siç dihet, edhe nëse Shqipëria nuk do donte, futja e saj në NATO ka qenë, për kohën dhe kontekstin e zhvillimeve europiane të viteve 2000, një imperativ europian. Ngjashëm dhe me liberalizimin e vizave.
Është e nevojshme të kujtohet se në fushatën e vitit 2009, vizat nuk ishin askund si premtim elektoral. Kjo sepse liberalizimin vjen si projekt europian pas këtij viti, për t’u bërë gati i finalizuar pas gati një viti e gjysmë. Po, është e vërtetë që qeverisjes iu kërkua plotësimi i disa kushteve, më së shumti teknike se politike – siç pasaportat biometrike – të realizuara pa dyshim, por që si proces ishte një dhuratë europiane, të cilën e përfituan dhe Maqedonia e Mali i Zi.
Pra, të dyja janë zhvillime, ose dhe arritje, të një konteksti të caktuar europian, të cilat nuk lidhen ngushtësisht me një vizion qeverisës, e cila i ndërton si kauza dhe më pas investohet në to deri në finalizim. Nëse do qe kështu, po, ja vlen një gjoksrrahje e fortë nga ana e PD-së dhe e Bashës.
Në kampin tjetër, Rama ka ndërtuan kauzën e reformave në sektorë të shumtë, shoqëruar me arsyetimin se nëse do ishin bërë vite më parë, Shqipëria sot do qe shumë mirë. Por siç dihet, reformat janë me risqe të forta elektorale. Pos efekteve anësore, rezultati i tyre është i shtrirë në kohë. Në këtë pikë, PD nuk ka preferuar të riskojë. Dhe është bash kjo që e ka bërë që mos guxojë në reforma duke mos e patur edhe sot pas 13 vitesh qeverisjeje në post-komunizëm, fjalën “reformë” në CV-në e saj.
Kur sot analizohen, në fakt nuk analizohen por thjesht përfliten, e djeshmja dhe e sotmja në lloj qeverisjeje, të PD-së apo të PS-së, nuk merren në konsideratë kontekstet, pesha e kohës, avantazhet apo disavantazhet e saj, ku u gjendën kjo apo ajo parti, siç gjendet sot njëra prej tyre.
Mos harrojmë se politika shqiptare ka një leksion historik nga përvoja e soj politike, që nga shpallja e pavarësisë, për të kuptuar se fati i një individi në vendimmarrje është vendosur nga rrethanat sesa nga aftësia e tij. Ky leksion është Zogu, një njeri me dhunti të spikatura politike dhe shtetformuese, por i ndodhur në kohën më të gabuar për ta realizuar projektin e tij.
Koha që jetojmë sot, ku impakti i trendeve globale është gati përcaktues në fate lokale, është krejt tjetër dhe nga ajo e 5 viteve më parë, e gati kokëposhtë nga ajo e 10 apo më shumë viteve. Më thjesht, është koha më e palumtur për të qeverisur, aq më tepër Shqipërinë. Dhe PD që shfaqet e përvëluar për fatet e vendit, nuk e ka nga afshi qeverisës sesa nga padurimi për të provuar dhe njëherë pushtetin. Janë dy gjëra krejt të ndryshme dhe lehtësisht të dallueshme në diz’harmoninë e tyre, pasi premisë është 100 përqind e dyta dhe zero përqind e para.
Nëse do qe e kundërta, programi i saj do qe, edhe në mos u zbatoftë, jo një praktikë donacionesh në nivel premtimesh të sajuara për të mos u besuar, por një korpus mendimi i thellë politik, një manifest intelektual dhe vizionar bashkë, që do qe për shoqërinë së paku një inspirim për një tjetër rilindje nga ajo që po tentojnë të ofrojnë pushtetmbajtësit aktualë
Dhe do niste kjo, më së pari nga një vetëkritikë e thellë, pasuar nga një revolucion në frymë, vlera njerëzore dhe ligjërim, për të arritur kulmin në një ofertë politike që para se të kishte “dhurata” në euro sa këndej andej, do ishte një joshje inteligjence, morali dhe vizioni i papërballueshëm. Por kjo është shumë gjeniale dhe që buron nga gjenialitete.
Ndërsa Basha ka zgjedhur të jetë normal dhe jo gjenial! /tesheshi.com/