Nga Klevis Bakillari/
Zgjedhjet në shtetin e Kosovës dhe rezultati që prodhuan, janë një ngjarje historike për shqiptarët e Kosovës por edhe për shoqërinë mbarëshqiptare. Për disa arsye. Tek mesazhi që dërguan. Populli kosovar tregoi se kur të bëhet më e vështirë vuajtja se ndryshimi, patjetër që do të ndryshosh! Tek patriotizmi i përcjellë. Me pjesëmarrjen e lartë në votim, populli kosovar tregoi se shoqëria po s’ndryshoj s’rritet, veç kërruset! Tek fryma ndërruese në politikëbërje. Ndryshimi do të duhej të ndodhte ngaqë është programuar ,dhe jo për shkak të një aksidenti. Tek fitorja e të resë mbi të vjetrën. Rezultati përveçëse ishte i dobët për partitë e vjetra, ishte edhe fundosës për to. Me shifrat më të ulta historike në përkrahjen popullore, disa prej këtyre partive, tashmë nevojitet të bëhen nga e para ose të shuhen!
Dhe tek fitorja mbi të keqen. Kosova, duke vetëvendosur, tanimë vërtetë, de facto, mori përsipër përgjegjësinë e plotë mbi sovranitetin e saj territorial,ekonomik dhe socio-kulturor. Jo se nuk ishte sovrane, ajo ishte plotësisht sovrane por figurat e vjetëruara teknokrate ishin aq autoimunë saqë mund të luanin tepër lehtë me të ardhmen dhe shoqërinë e saj, si me një kukull. Zgjedhjet në Kosovë ishin model edhe për nga realizimi e deri tek nxjerrja e rezultatit. Të qeta, pjesëmarrje e lartë, edhe emigrantët ishin aty, pa incidente, plotësisht të lira. Këto ishin shenja të një pjekurie të shoqërisë kosovare. Numërimi, tepër i shpejt e i ndershëm. Kundërshtari njohu dhe pranoi rezultatin. Humbësi uroji fituesin. Pjekuri politike.Për tu përgëzuar çdo hallkë e këtij proçesi.
Është normale që një palë zgjedhje të tilla të kishin një rezonancë të fortë edhe brenda në Shqipëri. Aq më tepër që zgjedhjet po afrojnë. Ai shembull, ai model, ajo përgjegjësi qytetare dhe ai patriotizëm i shqiptarëve të Kosovës po lakohet e lakmohet në shumë qarqe politike e shoqërore në Shqipëri. Sebepi është modeli i Albinit. Në mediume e kudo ka mendime, shqetësim e ankesa për modelin e ri. Për Njeriun e Ri. Për Mbinjeriun që vërtetë bën diferencën. Por a na mungon neve Albini?! A mos vallë e kemi mes nesh dhe s’po mundemi ta identifikojmë?! Apo duhet ta lindim, ta krijojmë?
Albini s’na mungon! Antialbini na mundon! Rezonanca morfike, një term biologjik i formuluar për të shpjeguar një dukuri të transmetueshme thotë: sapo diçka të ndodhë diku, atëherë kjo ngjarje bën që e njëjta gjë të ndodhë diku tjetër. Fitorja mbi të vjetrën që ndodhi në Kosovë sot, është kopje funksionale e përmbysjes në Shqipërinë e 2013, madje edhe të 2017. Në Shqipëri kemi të njëjtin model të ri në përmbajtje, Edi Ramën. Në Kosovë e kemi edhe në formë; duke patur parasysh gjithë rrugëtimin politik dhe apolitik të Albinit. Janë dy zhvillime simetrike. Deri edhe apokaliptike! Ndërkohë që opozita kërkon t’i ktheje në material politik të përdorshëm gjithë personazhet demode të kryesuar nga kryetari faktik, kthimi për një mandat të tretë qeverisës i Sali breshërisë do të na kthente në vitin zero!
Kosova luftoi për të mos e humbur Albinin, ne do të luftojmë në roundi-n e fundit të 25 Prillit për të mos e fituar antialbinin!