Ky mandate politik 4 vjeçar, që mbyllet ditën e votimit të zgjedhjeve të 25 prillit, është formësuar nga tri zhvillimet më të rëndësishme që kanë ndodhur në Shqipëri në periudhë 2017-2021.
E para, është momenti politik për djegien e mandateve të deputetëve të opozitës parlamentare, e cila u shoqërua nga bojkoti i zgjedhjeve të përgjithëshme lokale të 30 qershorit 2019.
E dyta, është tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019 në trekëndëshin: Tiranë- Durrës- Lezhë që solli më pas projektin e rindërtimit të pasojave të tij.
E treta, pandemia globale si një katastrofat më të mëdha shëndetësore të 100 viteve të fundit për njerëzimin, që ka sjellë pasoja të shumëanshme për të gjitha aspektet e jetës së planetit e të Shqipërisë.
Këto tri momente kanë ndodhur për herë të parë ndër dekdada, e në ndonjë aspekt, edhe në historinë e shtetit tonë. Të shënjuara të gjitha sëbashku, në një periudhe aq të shkurtër kohore sa janë përfshirë brenda një mandat katër vjeçar, i kanë dhënë atij një identitet unikal politik. Duke formësuar një trinitri zhvillimesh të jashtëzakonshme, e cila më shumë sesa të kujton trininë e shenjtë të fesë dhe librave të shenjtë, duket si një “Trekëndësh Bermude”.
Ashtu sikundër ajo hapësirë prej 1.2 kilometrash katrorë në Oqeanin “Atlantik”, njihet nga rrëfimet për dukurite e jashtëzakonshme që ndodhin aty, edhe trekëndëshi i zhvillimeve që kanë shënjuar këtë mandat politik në Shqipëri janë shndërruar në një lloj Trekëndëshi Djalli apo Trekëndëshi të Mallkuar për partitë dhe liderët e tyre.
Fati politik i Edi Ramës në këto zgjedhje, kalon përmes këtij trekëndëshi, përpara se të mari votën e elektoratit shqiptar. Sikundër këtë provë zjarri duhet ta kalojnë gjithashtu, edhe Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Ashtu si në historitë e Trekëndëshit të Bermudës, edhe në këtë rast, avioni socialist do ia dali që të vijojë fluturimin përgjatë 4 viteve të ardhshme nëse do ia dali që ta kalojë me sukses përmes kësaj prove unikale. Sikundër anija opozitare e PD dhe LSI do ia dali të ankorohet në limanin e pushtetit, vetëm nëse ia arrin të manovrojë me sukses, përmes këtyre tri sprovave të jashtëzakonshme.
Të dyja palët janë rreshtuar në një përballje politiko- elektorale, të padëgjuar më parë në këto 30 vitet e pluralizmit postkomunist. Sepse socialistët si kurrë më parë synojnë mandatin e tretë qeverisës rradhazi. Ndërsa opozita, ruajtjen e normalitetit të 24 viteve të fundit, për rrotacionin normal të pushtetit çdo 8 vjet nga njëri kah, tek tjetri. Është një përballje e jashtëzakonshme, e cila nuk mund të kalonte asesi si dhe më parë, përmes një rruge të zakonshme. E sigurtë është vetëm se në fund të kësaj loje ose piloti i avionit socialist, ose kapiteni i “Titaniku” opozitar, do ia dali që të triumfojë e të dali fitimtar. Për të vijuar si deri më sot, udhëtimin e tij të pandalshëm politik dhe forcës politike që përfaqëson.
Sot në dy vjetorin e djegies së mandateve të deputetëve të opozitës që e ka nxjerrë atë në rrugë të madhe duke mos patur asnjë përfaqësim në asnjërën prej pushteteve politike në Shqipëri, e sigurtë është se mazhoranca socialiste e ka fituar këtë kryebetejë. Ndërsa liderët opozitarë kanë pësuar një nga dështimet më spektakolare, ndërkohë që besuan se përmes ekstremizimit të situatës, do të riktheheshin në pushtet pa votën e shqiptarëve! Në lojë janë dy pikat e tjera të “Trekëndëshit të Bermudës” sonë politike. Reagimi i qeverisë, shtetit dhe strukturave të specializuara të tyre pas tërmetit dhe projekti i rindërtimit që ka nisur të marë formë në çdo qytet dhe fshat të dëmtuar, i japin sërisht avantazhe politike dhe elektorale mazhorancës së Kryeministrit Edi Rama. Sikundër edhe strategjia e menaxhimit të situatës së pandemisë nga Covid-19 dhe plani i vaksinimit të të gjithë popullsisë, ia lehtësojnë sëtepërmi PS, kalimin e provës së Djallit!
Në këto kushte, liderëve të opozitës sonë i mbetet vetëm që të kalojnë Ylberin, nëse do të duan që të fitojnë më 25 prill. Ose të luten natë e ditë, siç kanë bërë deri më tani, që mazhoranca të dojë ta humbi vetë këtë lojë pas kësaj. Kush do të bjeri në këto 65 ditë që kanë mbetur, në grackën e “Trekëndëshit të Bermudës” së politikës shqiptare? Kjo mbetet për tu konfirmuar. Por, e sigurtë është se perdet e skenës janë hapur, ndaj: “The show must go on!”