Koha kur Neymar shprehet hapur pakënaqësitë e tij në Paris dhe kërkonte rikthimin te Barcelona, duket e largët, pasi sulmuesi brazilian ka rigjetur lumturinë në kryeqytetin francez dhe duket gjithmonë e më i bindur për të qëndruar gjatë. Në një intervistë të dhënë së fundi për mediat franceze, futbollisti më i shtrenjtë në historinë e futbollit (u kushtoi francezëve 222 milionë euro në 2017-ën) tha se ndihet tërësisht brenda projektit të klubit dhe dëshiron të fitojë trofe të rëndësishëm.
“Sot jam shumë më i lumtur te PSG-ja. Ndihem mirë, jam adoptuar dhe jam shumë më i qetë, ndaj dua të qëndroj gjatë këtu. Ndihem tërësisht i përfshirë në skemat e lojës dhe planet e klubit, ndaj dua të qëndroj sa më gjatë te Paris Saint Germain”, deklaroi Neymar.
Më pas ylli brazilian provoi t’i dërgojë një mesazh dashurie edhe shokut të tij të skuadrës, Kylian Mbappe, kontrata e të cilit me PSG-në skadon në verën e 2022-shit dhe sulmuesi nuk duket ende i bindur të firmosë rinovimin. “Shpresoj që të qëndrojë edhe Kylian. Sigurisht që kjo është edhe dëshira e të gjithë tifozëve. Ai është një djalë me zemër të artë dhe unë e thërras “djaloshi i artë”. Jemi si vëllezër dhe unë jam vëllai i madh, ndaj do të doja që të qëndronte për të bërë PSG-në një skuadër gjithmonë e më të fortë dhe për të fituar vazhdimisht”, tha Neymar.
Neymar kaloi në Paris Saint-Germain në vitin 2017 nga klubi spanjoll, Barcelona ku qëndroi për katër vite.