Në prag të 101-vjetorit të shpalljes së Tiranës si kryeqytet, Ilir Meta ka shpërndarë një mesazh. Presidenti shkruan se sot mungojnë shumë monumente, prej virusit dhe babëzisë. Ai thotë se i garanton ‘tironasit’ se do ta mbrojë trashëgiminë. Kujtojmë se në dhjetor 2020, kur protestat e dhunshme përfshinë Tiranën, Ilir Meta nuk bëri asnjë thirrje as për grumbullimet pa maska dhe as për faktin që u sulmuan me zjarr e gurë Biblioteka Kombëtare, Muzeu Historik Kombëtar apo godinat e ministrive.

Por sot, Presidenti shkruan se është në merak për godinat: Gëzuar 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqendra e shqiptarëve! Shumë i lumtur, që këtë datë të shënuar për mbarë kombin shqiptar, ta kremtoja sot me pinjollë të familjeve autoktone dhe patriotike tiranase, për t’ju shprehur të gjithë banorëve të Tiranës, vullnetin tim të palëkundur për të qëndruar përherë në krah të tyre dhe në mbrojtje të vlerave qytetare, që ata dhe kryeqyteti ynë i dashur përfaqëson. Fatkeqësisht, për shkak të virusit të babëzisë, Tiranës këtë vit i mungojnë shumë prej monumenteve dhe vlerave të saj më të çmuara historike, tradicionale dhe kulturore.

Nuk kemi sot mes nesh, godinën e Teatrit Kombëtar, Këndin e Lojërave për fëmijë tek Rruga e Elbasanit, shumë shtëpi monumente kulture, godina karakteristike dhe tradicionale, që ishin kudo në kryeqytet. Ndërkohë, që edhe Sahati po “zhduket” dalëngadalë. Vendin e tyre po e zënë kullat, që po mbijnë pareshtur, si kërpudhat pas shiut. Shk atër rimi i objekteve të trashëgimisë sonë kulturore e historike dhe dëmtimi i pariparueshëm i shumë prej tyre, padyshim është një gjenocid kulturor i papranueshëm për identitetin e Tiranës. Garantoj tironasit e dashur dhe të gjithë shqiptarët, se së bashku me ta do të bëjmë përpjekje më të mëdha, për të mbrojtur trashëgiminë e vyer, që na ka mbetur dhe për të cilën janë sakrifikuar të parët tanë në breza, për t’i thënë: Ndal shëmtisë së kullave dhe barbarisë ndaj identitetit tonë kombëtar, që po ndodh në zemër të Shqipërisë! JavaNews/ A. Rada