Rruga e Arbrit një ndër projektet më të mëdha infrastrukturore dhe një vepër inxhinierike komplekse, por merr formë dita ditës. Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme pamje nga tunelet e rrugës së Arbrit ku duket se punimet kanë vijuar me ritme të larta dhe puna në to po shkon drejt fundit.

Një volum i madh pune është kryer për ndërtimin e katër urave kryesore, një prej të cilave është edhe Ura e Vashës më e larta në rajon, 152 m. Janë përfunduar tërësisht Ura U3 mbi Lumin Zalli i Bulqizës me gjatësi 144 m dhe ajo U4 mbi Drinin e Zi me gjatësi prej 260 m.

Rruga e Arbrit është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit. Ajo do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme lidhjen e Dibrës me Tiranën, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e zonave në të cilën kalon.