Vaksina antiCOVID-19 e zhvilluar nga “AstraZeneca” mund të përdoret edhe për personat mbi 65 vjeç, tha sot Komiteti i Ekspertëve të OBSH-së për Vaksinat. Në rekomandimet e tij të shumëpritura për këtë vaksinë, Grupi Këshillimor Strategjik i Ekspertëve i OBSH-së për Imunizimin (SAGE), gjithashtu, rekomandoi përdorimin e saj edhe në vendet ku ekzistojnë variante të virusit.
“Personat mbi 65 vjeç duhet ta marrin vaksinën”, tha presidenti i Grupit të Ekspertëve, Alejandro Cravioto, në një konferencë shtypi. Këto rekomandime vijnë në një kohë kur kjo vaksinë e vektorit viral, e zhvilluar nga laboratori britanik “AstraZeneca” dhe Universiteti i Oksfordit, ka përjetuar pengesa javët e fundit, ndërsa efikasiteti i saj është vënë në dyshim për mbi 65-vjeçarët dhe në vendet ku ekzistojnë variante .
Vaksina “AstraZeneca/Oxford”, e përdorur nga për herë të parë masivisht nga Britania e Madhe në dhjetor, tashmë është miratuar nga disa vende të tjera dhe nga Bashkimi Europian.