Kryetari i PR, Fatmir Mediu, ish kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i PD, Lulzim Basha, gjate mitingut permbylles te fushates se Partise Demokratike, ne sheshin “Nene Tereza”, per zgjedhjet lokale te 21 qershorit. /r/n/r/nHead of Republican Party, Fatmir Mediu, Former Prime Minister Sali Berisha and Halim Kosova, candidate of the Democratic Party for the Municipality of Tirana, during the closing campaign of Democratic Party, in the square "Mother Teresa", for local elections on 21 June.

Nga Ben Andoni/

Logjika e shtetit është e plotë kur funksionon e pandërprerë. Partitë që marrin përsipër të krijojnë qeveritë ose koalicionet e partive, që duhet ta bëjnë atë, thjesht çojnë përpara programe. Dhe, tashmë në shesh ka dalë sërish kauza e të përndjekurve, që e bën të skuqet të gjithë politikën tonë. Të mendosh se të mbarojë i gjithë procesi i dëmshpërblimit duhet ende që me këtë ritëm të zgjasë më shumë se 30 vjet!!!

Dhe, sot, kur jo pak nga të përndjekurit kanë ndërruar jetë; kur një pjesë tjetër jo e madhe nuk arriti kurrë të futet në hullinë normale të jetës; kur një pjesë tjetër e tyre mundi të shpërdoronte pa fre fonde duke u pasuruar në emër të përndjekjes e në kurriz të bashkëvuajtësve, ka ardhur koha të ndalojmë.

E para nga përdorja e tyre. Tashmë është vetë politika si ajo e PD-së, që bëri shumë pak për ta; një pjesë jo e vogël e shoqërisë civile, e strukturave të ndryshme, e fondacioneve që nxjerr përfitime në kurriz të tyre dhe përdorjes së emrit të tyre, që i kanë nxjerrë sërish në skenë.

Porse për ironi ende të pagjeturit nuk identifikohen dot dhe nuk kanë një emër mbi gur-varr. PD mund ta përdorë si kauzë por tashmë duhet të turpërohet që nuk ua zgjidhi problemin, përveçse e përdori kauzën e tyre. E tashmë, nuk mund ta përdorë në zgjedhjet e reja, kur Shqipëria e ka ulur kurrizin nga barra e një borxhi marramendës që bashkërisht qeveritë e 30 viteve i kanë lënë këtij vendi.

Por edhe PS-ja nuk ka pse të krenohet. Në një kalkulim të botuar te “Monitor” thuhej se: “Vlera e detyrimit të njohur nga shteti shqiptar dhe i papaguar për ish të përndjekurit politikë deri në fund të vitit 2018 është 33 miliardë e 381 milionë lekë, ose rreth 300 milionë dollarë. Nga llogaritjet e bëra nga auditi i KLSH rezulton se nëse buxhetimi i këtij fondit do të vazhdojë me këtë rritëm, ky detyrim do të mund të shlyhet vetëm pas rreth 33 vitesh. Për të ruajtur vlerën reale të kompensimit, duke pasur në konsideratë kohën e gjatë, do të duhej që detyrimet e njohura ndaj kësaj shtrese të indeksoheshin me inflacionin”. Po a bëhet vallë kjo? Ankimet e tyre dhe listat që nuk mbarojnë tek të përditshmet tregojnë se ne do t’i kemi ato dhe në vitet në vazhdim.

Kështu, Qeveria Rama vitin e shkuar kish parashikuar 1 miliard lekë fond për dëmshpërblimin financiar për ish të përndjekurit politik të regjimit komunist. Ndërkohë vitin e kaluar ishte pagesa e këstit të dymbëdhjetë për kategorinë e subjekteve përfituese parësore si dhe po kryhej pagesa e këstit të tretë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore. Dhe, askush nuk di të thotë realisht çfarë po ndodh me ta, sepse humbet në skema.

Një procedurë e gjatë e pafundme por që i mungon brenda fabula e dinjitetit. Shumë prej tyre nuk janë zhdëmtuar moralisht nga ky shtet, ku PD-ja mban peshën e madhe bashkë me disa aleatë të saj, kur ishin në pushtet që nuk i vlerësuan si duhet. E po ashtu politika duhet të heshtë duke mëtuar se po e kuron disi këtë plagë të pambyllshme, që politika e hap rregullisht në fushatat e saj…për pak vota më shumë.