“Partia Demokratike po kopjon keq ato që i kemi bërë tashmë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një takimi me banorët e Njësisë 7 në kryeqytet. Sipas tij, PD nuk ka asnjë ide.
“Nikola Tesla thotë: ‘Nuk më vjen keq kur më vjedhin idetë, thjesht më dhimbsen që nuk kanë ide të tyre’. Ne nuk na vjen keq, kur ata janë duke folur për bursën e energjisë, çështja është që e kemi bërë realitet vjet. Nuk na vjen keq që e kopjojnë, thjesht tregon se nuk kanë ide. Nuk na vjen keq kur thonë taksa 0.5 % për biznesin e vogël, po për cilin biznes e kanë fjalën se tashmë biznesi e ka zero taksën. Ata mirë që kopjojnë, por na kopjojnë edhe keq. Si mund të rrijë njeriu 8 vite në opozitë, e mos prodhojë një ide origjinale?”, tha Veliaj.
Ndër të tjera, kryebashkiaku nënvizoi se PD shan oligarkët për të përfituar ndonjë gjë prej tyre, ndërkohë që në anën tjetër në programin e tyre është ulja e taksës për ta.
“Këta thonë, taksimin për oligarkët ta bëjmë nga 15% në 9%. Po për çfarë i shan oligarkët? I shan për të kapur ndonjë gjë! Shan atë të Astirit që të kapësh makinën, shan atë të qendrave tregtare që të kapësh vilat në Vala Mar, shan atë të konçesionarit të automjeteve, që të kapësh vilat në Lundër, shan atë të rrugës së Kombit, që të marrësh katin e parë të hotelit. Por kjo është gjobëvënie dhe diferenca është që, nëse hajduti e bën me kapuç, këta e vënë me kollare, madje të bëjnë edhe fjalim”, deklaroi Veliaj.