Olympique Marseille është në krizë pafund, ‘E turpshme’, ‘Një barkë që fundoset’; media franceze nuk kursehet me kritikat e saj pas humbjes që skuadra marsejeze pësoi ndaj Lorient me rezultatin 2-0 në një ndeshje ku Lorient nuk kishte më një objektiv në kampionat, ndërkohë që Marseille kishte shumë në lojë.
Kualifikimi në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm që në një pikë të sezonit dukej i sigurt, tani rrezikohet vërtet, skuadra e Habib Beye që mori vendin e De Zerbit, në fund të kësaj jave mund të zbresë në vendin e 6
Të gjithë futbollistët janë në bankën e të akuzuarve dhe këtu përfshihet edhe Benjamin Pavard. Qendërmbrojtësi është një ndër të akuzuarit kryesor për këtë krizë të Olympique Marseille. Portali FootMercato e vlerësoi paraqitjen e tij me notën 2: ‘I kritikuar me të drejtë për paraqitjet e tij që kur erdhi në Marseille, futbollisti i kombëtares franceze ka pasur fillimin më të dobët të sezonit, fajtor në pozicionimin e gabuar në rastin e golit të avantazhit të Lorient. Më pas kërkoi të korrigjojë diçka me një sërë inkursimesh në sulm dhe krosime në drejtim të portës së Lorient, por më kot. Shumë i brishtë në fazën mbrojtës dhe i ndëshkuar me karton të verdhë për një ndërhyrje jashtë kohe dhe pengoi edhe më shumë shokët e tij të skuadrës. Një paraqitje makthi’-ishte vlerësimi i FootMercato.
Pavard u transferua te Marseille nga Interi me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për 15 milionë euro. Por për shkak të paraqitjeve të tij e sidomos pagës prej më shumë se 6 milionë euro bruto, qëndrimi i tij te skuadra franceze është gjithnjë e më e vështirë që të ndodhë. Në qershor, me shumë mundësi, Pavard do të kthehet në Milanos, por te zikaltrit është krijuar ndjesia se për francezin nuk ka më hapësira, pavarësisht ndërhyrjes që do të duhet të bëjë Interi në repartin e mbrojtjes në merkaton e verës.




















