Napoli-Juventus është supersfida e javës së 22-të në Serie A. Dy ekipet do të tentojnë maksimumin në sfidën që do luhet në stadiumin “Diego Armando Maradona”, duke nisur prej orës 18:00 të ditës së nesërme.
Bardhezinjtë e Andrea Pirlos synojnë fitoren e pestë radhazi në kampionat, edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë kundër ekipit të Gattusos, diçka që e pranon edhe trajneri i Juves në konferencën për shtypin.
“Do të jetë një ndeshje e stilit të Superkupës, një ndeshje e rëndësishme për të dy skuadrat. Janë tre pikë në lojë dhe do të ketë tension për t’i fituar ato. Momenti ynë është i shkëlqyer, ndërsa te Napoli jo edhe aq.
Do të zbresim në fushë për fitore, duam të bëjmë mirë pas kualifikimit në finalen e Kupës së Italisë, nuk duam të ndalemi. Arthur ka këtë kalcifikim dhe gjendja e tij duhet të shihet nga dita në ditë. Ai ndjen dhimbje dhe shpresojmë ta kemi gati sa më shpejt. Për t’u vlerësuar edhe gjendja e Dybala. Dhimbja në gju nuk i është larguar.
Sa i përket Bonuccit, ai është stërvitur me ne, por është disi i lodhur. Të shohim nëse do e marrim me vete në Napoli, nuk e kemi vendosur akoma. E njëjta gjë vlen edhe për Ramsey“, thekson trajneri i Juventusit.