Më poshtë është një seri profilesh të ish-deputetëve dhe antarëve të Kryesisë të lënë jashtë mundësisë së kandidimit nga Komisioni i ngritur në Partinë Demokatike, për të përzgjedhur më të mirët për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Politiko është munduar të mendojë si selektorët e PD, dhe cilat mund të kenë qenë arsyet e vendimeve të tyre. Në jo pak raste kemi përdorur edhe burime brenda Komisionit për të konfirmuar dyshimet tona.
Ervin Salianji-I aftë të bëjë çdo gjë, mjafton ta bëjë ai. Mirë a keq nuk ka rëndësi; e rëndësishshme është që të bjerë në sy ndërkohë që ai vetë një sy e mban nga Basha. Produkt i invesitmit të Henri Çilit në media, ai la universitetin publik për t’iu bashkuar organizatës private UET, dhe ky largim nga publikja drejt privates duket se është edhe thelbi i tij politik.Nga UET-i mori një diplomë prej juristi, një biznes, teza politike dhe promo mediatike.
Për atë djalë termi ‘dëm kolateral’ (anësor) nuk ekziston. Me historinë e Babales i shkaktoi dëm vetes, por jo pak edhe PD. Në këtë dhe të tilla sjellje duket se qëndrojnë fijet që e lidhin me Bashën. Këto konsiderata kanë qenë, me sa duket, përcaktuese në vendimin e Komisionit për ta lënë jashtë listave, të cilit me të vërtetë i dhimbsej më shumë PD se Salianji. Dhe ky ka qenë nga rastet kur Komisioni ka qenë unanim.
Arben Kashashu-Rrokullisja e tij në maloret e PD duket se e humbi forcën e nxitimit që në të përpjetën e parë. I dalë nga asgjëja, ai u shfaq butësisht në krah të Bashës si sekretar i Marrdhënieve me Jashtë. Dihet se çdo afrim dhe largim politik ka kosto, afërmendsh edhe një i tillë si ky i Kashahut me Bashën e ka çmimin e vet.
Produkti i tij politik mbetet ende inekzistent, ose të paktën i padukshëm. Sa i takon rolit mediatik apo protagonizmit publik mund të thuhet se Kashahu mbetet vetëm një foto çasti. Kjo monsnjohje dhe mungesat e kontributit politik kanë qenë baza e arsytimit të Komisionit.
Klevis Balliu-Janë 13 të sakrifikuar dhe është e vështirë të gjesh cili është Juda dhe cili Krishti, por e sigurt është se te secili ka ngapak sakrificë dhe ngashumë tradhti. Dhe Komisioni, si një Koncili, nuk ua çmoi sakrificën, por nuk e tregoi Judën.
Hyri në politikë si ‘djali i Fahriut’ dhe, megjithëse u përpoq shumë, nuk ia doli të shkëputej dot nga ky përcakim. Kjo edhe për fakin se, sa më shumë mbante aksione politike që duket sikur e largonin nga modeli, aq më shpesh i rikthehej dhe ngjante me të atin. U tregua i aftë të përqafojë me pasion të pabesueshëm çdo kauzë po aq të pabesueshme. Gjithaq i aftë që t’i shërbejë liderit me vetëdijen se po i shërben ekzaktësisht vetes. Prova më monumentale mbetet libri ‘Misoni Unaza’, i cili nuk dallon shumë nga librat e të atit. Duhet thënë se Balliu Jr. nuk e ka diabolizmin e të atit, dhe brenda në PD, ata që e njohin, thonë se fitoi goxha simpati, se dukej aq larg tipologjisë së tij.
Protesta e stërzgjatur tek Astiri ishte një trajnim i vërtetë politik për të. Si një borxh ndaj mungesës së një të shkuare politike. Mbasi për një vit e gjysëm e la Pogradecin për Unazën, duke besuar se ishte kauzë e Bashës, i humbi të tria, Pogradecin, Unazën dhe Bashën.
Endri Hasa-Shumë njerëz nuk e mbajnë mend që ka qenë deputet, por do kujtohet ndoshta gjatë për veprimin e të qëlluarit me vezë të kryeministrit në Kuvend. Precedent i shëmtuar në historinë e parlamentarizmit shqiptar, një veprim i kuptueshëm për qënie të dëshpëruara, si psh të pastrehët dhe të papunët, por asesi për një parlamentar. Kjo i jep të drejtë gjithkujt nesër që t’i kthehet me të njëjtën mënyrë kryetarit nga xhepi i të cilit dolën ‘predhat’ e pularisë.
Romeo Gurakuqi-Një profil i vështirë. Profesori ngjalli shumë shpresa, se më në fund në të djathtën politike do të shkëlqente historia. Jo vetëm si lëndë të cilën Gurakuqi e jep në Universitet, por edhe si trashëgimi e politikës. Për qindra arsye kjo nuk u sendërtua. Më e para naiviteti në raportet e tij me politikën. I hedhur në Shkodër, prej nga vjen, një bastion i PD, por edhe zonë asapk e lehtë për të rritur ‘kockën politike’, Gurakuqi u gjend nën rrethim, ashtu si qyteti i tij.
Më shumë bujë bëri sherri i tij me Komisionin kur u ç’deputetëzua, se sa dita kur u bë deputet. Dhe bash këtu gjendet edhe impasi i aktivitetit të tij politik: ai nuk e kuptoi se, pikërisht përplasja dhe jo ‘profesorati ‘është thelbi i politikës shqiptare. Historia e paraardhësit të tij, Luigj Gurakuqi duhet të kishte qenë edhe leksioni i tij parë.
Izmira Ulqinaku-Për Izmirën mund të thuhet se ‘u vra’, ashtu si i afërti i saj- një prej dëshmorëve të demonstratës së 2 prillit në Shkodër- pa u futur në politikë. Duke qenë, jo zyrtarisht, ‘zëvendësuese’ e Jozefinës, nuk ishte hija e kësaj të fundit që e pengoi të rritej, sa paqartësia në vendimet dhe veprimet e lidershipit demokrat. Veç kësaj, sprova e saj parlamentare qëlloi jetëshkurtër, sërish prej vendimit për të braktisur Kuvendin. Ashtu siç emri i saj sugjeron një gjeografi pa adresë mes Izmirit dhe Ulqinit, edhe aksioni i saj politik është i vakët.
Lorenc Luka-Luka ka pamjen dhe mbiemrin për të qenë një përfaqësues i denjë i Shkodrës në Tiranë, por shkolla e tij politike duket se ishte praktikimi i… asnjë shkolle politike. Ish-kryebashkiak i Shkodrës, ai e pati të vështirë të hiqte petkun dhe (vetë)besimin e një drejtuesi lokal dhe të merrte në dorë ‘listën dhe fatet e kryeqytetit të veriut’. Dmth shumë pamje për asgjë.
Xhemal Gjunkshi-Përveç bashkëtingëlloreve të tepërta, dhe sforcimit për të mos ngatërruar ‘xh’-në e emrit me ‘gj’-në e mbiemrit, ish-deputeti nuk la gjurmë në aktivitetin politik. Autoriteti që duhet t’i jepte grada e gjeneralit mund të futej në punë për qëllime politike, por me sa duket koha e shkurtër në Parlament nuk i la radhë që të merrte kthesën.
Fatbardha Kadiu-Kur emri i saj u shfaq, pak pas mesantës, në listën e Bashës për Durrësin, në një vend të sigurt, në vitin 2017, shumë vetë kujtuan se sekretariati i PD ia kishte ngatërruar emrin me Fatbardh Kadillin, sekretarin e Burimeve Njerëzore në parti. Në vijim, të vetmet gjëra të sigurta mbetën fakti se ajo nuk ishte Kadilli dhe vendi që i dha Basha në ‘listën fatkeqe të 2017’.
Nada Meçorapaj-E dyta në listën Vlorës, Meçorapajn e ndoqi mallkimi i asaj renditjeje të çuditshme, ku biznesmeni i suksesshëm Shehaj ishte i pari, dhe Vangjel Dule i ‘partisë së grekëve’ i treti, duke lënë jashtë çamin Dash Tahiri dhe numrin 2 të partisë, Arben Ristanin. E palodhur në përpjekje për ta mbushur vakuumin e Vlorës, ndoshta kuptoi se fati e kish hedhur në listën e deputetëve në kohën e gabuar. Në vend që të luante rolin e lubrifikantit në terrenin e vështirë politik të Vlorës u detyrua të bëhej amortizatori.
Andon Frrokaj-Kur u shpall kandidat në listë, habiti me emrin ortodoks dhe mbiemrin katolik, në një qytet të veriut si Lezha. Nuk habiti më. Ndoshta as veten. Ndërkohë, që kjo është jehona në Tiranë, sigurisht, për eksponentët dhe realitetet lokale, vlen ajo se çfarë mund t’i thotë Frrokaj Lezhës.
Lindita Metaliaj-Një grua në listën e PD. Komisionit i është dashur që të përballojë ndërhyrjen e Bashës për një apo dy raste grash në Tiranë, dhe kjo e ka ndihmuar të mos dorëzohet në rastin e Lezhës dhe të Metaliajt.
Luan Baçi-Aktivizmi i tij politik ka qenë i pareshtur, por ka raste kur kursimi është virtyt dhe shpërdorimi e kundërta. Protagonizmi politik pa fjalorin, pa tezat dhe pa thelbin, nganjëherë duket sikur është asgjë më shumë se çfarë është në të vërtetë: teprim.
Tritan Shehu-Më i vjetër edhe se PD në politikë, aq sa një cinik në parti thotë se ai të kujton Shën Palin që në fillim i vriste të krishterët dhe më pas u bë i krishterë i devotshëm dhe shërbëtor i tyre. Nuk ka asnjë arsye se pse duhet të jetë ende në Gjirokastër. Njohësit e terrenit thonë se efektin elektoral nuk e ka pozitiv, gjë që të çudit për zgjidhjen këmbëngulëse të Bashës.
Caktimi i tij në Gjirokastër është një dorëzim i parakohshëm i Bashës dhe pranimi i faktit se PD nuk mund ë prodhojë më shumë se një deputet në atë qark. Në këto kushte ky vend shihet si një qokë që shërben për të shlyer borxhin e vjetër të Berishës ndaj klanit të PDr, pas shkrirjes së kësaj të fundit.(Politiko.al)