Kontraktorët e mirëmbajtjes së rrjetit rrugor kombëtar, që administrohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, shërbimet e Policisë Rrugore dhe gjithë strukturat përkatëse për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin janë në terren në të gjithë akset rrugore të vendit nga veriu në jug. Ata po vijojnë punën pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin për të siguruar qarkullimin normal të mjeteve dhe parandalimin e çdo aksidenti.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga puna që po bëhet për mirëmbajtjen e rrugëve në çdo aks rrugor të vendit që qarkullimi i mjeteve dhe rrugët për qytetarët të jenë të kalueshme. “Në krye të detyrës për të lehtësuar ngarkesën e jashtëzakonshme të motit në rrugët e vendit”, shprehet Rama.

Kontraktorët e mirëmbajtjes së rrjetit rrugor kombëtar, që administrohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë në terren me forca të shtuara me mjete, staf dhe materiale kripë, që gjatë natës së kaluar e gjatë ditës pa pushim. Gjithashtu shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin ndodhen në shërbim 24 orë, në të gjitha akset rrugore kryesore, për të drejtuar qarkullimin rrugor, me qëllim parandalimin e çdo aksidenti sado i vogël të jetë ai, si dhe për t’i ardhur në ndihmë çdo drejtuesi mjeti që mund të ketë probleme.

Nga strukturat përgjegjëse nuk ka munguar dhe apeli për drejtuesit e mjeteve që të lëvizin vetëm në raste nevoje me goma dimri apo zinxhirë kur është e nevojshme.