Kryeministri Edi Rama ka folur nga Saranda rreth asaj për çfarë do të dëshironte të mbahej mend në këtë vend duke sqaruar se puna e bën që të mos dorëzohet dhe të lërë një kujtim të mirë. Në fjalën e tij, Rama theksoi se ka bërë gabime dhe shumë gjëra do të kishte bërë ndryshe nëse do të kthehej nga e para. Megjithatë, beson se gabimet e kanë ndihmuar që të mos i përsërisë e të mos e ndalë punën.
Rama: Besoj që shtysa kryesore e imja për të rezistuar dhe për të mos u dorëzuar dhe për të mos arritur tek pika “varja fare sepse nuk duroj dot më, nga një anë strapacohem, nga ana tjetër dëgjoj lloj lloj fyerjesh e përqeshjesh” është pikërisht kjo që puna e bërë gjatë kohës që merrem me këtë punë është që të ketë një impakt i cili të jetë mjaftueshëm i fortë për të lënë pas një kujtim të mirë. Pastaj se çfarë do të jetë fjalia e përgjithshme apo cilat do të jenë gjërat specifike, është diçka që ja lëmë kohës. Ky është i vetmi motiv.
Nëse do kthehesha nga e para, shumë gjëra do ishin bërë ndryshe dhe do ishin bërë më mirë, por njeriu është i destinuar që kur punon të gabojë dhe të mësojë nga gabimet. Njeriu gjithmonë gabon por duhet të mos përsërisë të njëjtat gabime. Unë besoj se gabimet e bëra hap pas hapi më kanë vlejtur që të bëj gabime të reja, por të mos përsëris të tjera.