16 Shkurt, Shkodër- Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar nga afër qendrën e vaksinimit në Pallatin e Sportit në Shkodër, ku ka nisur procesi vaksinimit për personelin shëndetësor.
“Sot fillojmë vaksinimin në Shkodër, 150 vaksinimet e para, por ndërkohë në ditët e ardhshme do të rritet numri i vaksinimeve nga 300 vaksinime në ditë e më pas 500 dhe këtë javë do të hapim dhe Qendrën e Vaksinimit në Vlorë, duke e shtrirë vaksinimin në territor”, tha Manastirliu. Duke folur për procesin e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë tha se vaksina transportohet sipas të gjitha kushteve specifike. Lidhur me hapjen e Spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve me COVID, Manastirliu ka bërë me dije se stafet mjekësore në këto spitale do të shpërblehen me bonus. “Përsa i përket shpërblimit, të gjitha ato spitale rajonale që kanë trajtuar raste post covid apo suspect covid, në bazë të punës që kanë bërë, i kemi shpërblyer me bonus, sipas ngarkesës që kanë pasur. Sigurisht që tani që do të jenë me kohë të plotë, do të trajtohen si të tillë”, u shpreh ministrja Manastirliu.