Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ka deklaruar se janë 10 000 familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit që kanë përfituar grant për rikosntruksionin e banesave të tyre, ndërsa është në proces rikonstruksioni i 600 pallateve të dëmtuara në nivelin DS1 apo DS2.
Sako gjatë një bashkëbisedimi sot me qytetarët e Durrësit, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama, deklaroi se janë 500 njësi individuale, banesa private të shtrira në qytetin e Durrësit që do të ndërtohen.
“Ka qenë një vit që ka paraqitur shumë sfida për qytetin e Durrësit. Kemi patur pandeminë që ka goditur turizmin. Nga ana tjetër biznesi ka ditur ta përballoj këtë situatë, duke u adaptuar me masat. Po ashtu, lëvizja e popullsisë brenda për brenda për turizëm ka bërë që Durrësi të jetë sërish një destinacion për sa i takon turizmit verore. Urojmë që procesi vaksinimit të na lehtësoj në këtë drejtim dhe të rikthejë normalitetin sadopak”,- tha Sako.
“Falenderoj kryeministrin Edi Rama, që shprehja “ti nuk do të jesh kurrë vetëm” mishëron kontributet që ne kemi marrë dhe mbështetjen që u kemi dhënë qytetarëve të Durrësit. Kemi dhënë grant për rikonstruksionin e 10 000 familje. Po rikonstruktohen 600 pallate të cilat do të bëhen më të mira e më të forta se sa ishin më parë. 500 njësive individuale të shtrira në qytetin e Durrësit. 10 shkolla të ndërtuara, 6 në proces. Po ashtu janë 4 pallatet e dëmtuara të nivelit DS 4 apo DS 5 që janë duke u ndërtuar nga e para dhe ka nisur puna. Ndërkohë do ndërtohet lagje tërësisht e re në Spitallë dhe Manëz”, përfundoi Sako.