Kryeministri Edi Rama ishte sot në Farkë, Tiranë, ku 126 shtëpi të reja ditë pas dite po zënë vendin e rrënojave në këtë njësi administrative, duke krijuar edhe një mundësi të re për kurorat e çdo shtëpie të rrënuar, që të përfitojnë shtëpi më vete. Familjet e Agron Fushës dhe Gazmir Zgurit në fshatin Farkë e Madhe kanë hyrë sot në shtëpitë e reja të ngritura falë Programit të Rindërtimi pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Kryeministri Rama së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj vizituan fillimisht familjen Fusha, e cila, nga një shtëpi dikur me qerpiç sot ka hyrë në një banesë 3 + 1. Kryefamiljari nuk ka nguruar t’i tregojë kryeministrit që më parë e gjitha familja e tij votonte djathtas.

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha se “ky është një lot prej 49 shtëpive, loti i tretë që kur ka filluar rindërtimi në Farkë”. Ndërkohë ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se Tirana do të ketë edhe 2 mijë njësi individuale pas aplikimeve të dhjetorit që i hapëm edhe njëherë. “Vlerësimet vazhdojnë nga bashkia e Tiranës dhe numri total i njësive individuale do ta kaloj 5 mijë shtëpi”, tha ai. Duke iu drejtuar Ramës, një prej banorëve u shpreh se “ke punuar për të gjithë popullin njësoj, për Farkën sidomos e ke bërë lulishte, je strateg”.