Një stuhi e madhe dimri ka përfshirë jugun e shteteve të bashkuara, i ka marrë jetën të paktën 21 personave dhe ka lënë miliona të tjerë pa energji elektrike. Ka pasur blackout-e të shumta në Texas ku rrjeti i energjisë është mbingarkuar nga rritja e kërkesës. Miliona njerëz në shtetin që rrallë herë përjeton temperatura të tilla, të ulëta, po detyrohen të përballen me energjinë elektrike që mungon dhe temperaturat e acarta. Rreth katër milionë njerëz në Teksas janë pa energji elektrike, përfshirë 1.4 milionë në Hjuston.

Rreth një e katërta e shtëpive në Dallas po ashtu kanë përjetuar ndërprerje. Ky mot ekstrem, parashikohet të vazhdojë deri në fundjavë. Vik timat si pasojë e stuhisë, janë regjistruar në Teksas, Luiziana, Kentaki, Karolinën e Veriut dhe Misuri.
Stuhia e acartë ka arritur edhe pjesët veriore dhe qendrore të Meksikës, ku miliona njerëz kanë përjetuar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë.

I ftohti i madh ka mbyllur edhe qendrat e vaksinimit anti kovid, për disa ditë, dhe ka penguar shpërndarjen e dozave. Rrugët e mbuluara tani nga akulli kanë çuar në një mori aksidentesh në trafik dhe njerëzit janë këshilluar të evitojnë udhëtimet sa më shumë që të jetë e mundur.