Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, është shumë i kënaqur për ecurinë e Romelu Lukakut këtë sezon. Në një prononcim për “La Gazzetta dello Sport”, ai shprehet se “Big Rom” tashmë është një lojtar më i kompletur falë punës së bërë nga Antonio Conte.
“Lukaku u transferua në Milano në momentin më perfekt të karrierës së tij. Është bërë një lojtar i kompletuar falë Contes. Sot në moshën e tij nuk ka asnjë sulmues aq të fortë sa ai. Romelu ka arritur në atë stad që edhe krijon dhe shënon, pasi më parë vetëm priste nga shokët e tij”, deklaron belgu.
“Kjo që po i ndodh atij nuk është një rastësi. Për herë të parë kemi një lojtar, i cili ka shënuar në pesë derbi radhazi. Këtë potencial që po shfaq ditët e sotme, Lukaku e ka patur edhe më parë, por siç e thashë ai po tregon më së miri nën drejtimin e Antonios”, përfundon Martinez.