Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka publikuar një videon nga një takim i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha me qytetarët nga ku deklaronte se “SHPK-ja LSI do falimentojë”.
“Dua t’i them ta marrë më qetësi dhe dashuri faktin që SHPK-ja e tij do të shkojë drejt falimentimit total me 25 qershor. Sistemi i skllavërimit të votuesve dhe klientelizmit politik merr fund më 25 qershor. Ndaj merre me qetësi dhe dashuri, mos e shkel etikën se je president i zgjedhur qoftë dhe me pazarin e republikës së vjetër. Lere Petritin ta marrë faturën e falimentimit të SHPK-së”, është shprehur Basha gjatë një takimi elektoral për zgjedhjet e 2017-ës.
Por një ditë më parë, Basha e cilësoi sulm personal deklaratën e kryeministrit Rama se “e ka tradhëtuar projektin, sepse ishte ai që e ndau me demokratët domosdoshmërinë për ta çuar LSI-në për skrap, ishte ai që u betua që s’do ketë me matrapazllëqe me LSI-në, SHPK dhe sot është një aksioner në SHPK-në”.
Por Braçe ka reaguar duke publikuar deklaratën e Bashës se “SHPK-ja e Ilir Metës do shkojë drejt falimentimit”.
“Si ke thënë Luli, sulm personal. Kush? Për çfarë? Ore është Luli ky apo e ngatërroj unë? Shihni t’i kenë vënë gjë kobure në kokë për ta detyruar të thotë këto apo më bëjnë sytë mua? Mos e moho vetëm Lul. Karakterin o e ke, o se ke. Me barrë nuk je”, shprehet Braçe krahas videos.