Nga Enxhi Hoxha/
Sami Frashëri, gjimnazi më elitar i vendit, makineria prodhuese e protagonistëve historik të mjedisit politik shqiptar, i shërbeu periudhës delikate të trajektores pragmatiste në pragun e 1990-s, një samist të maturuar rebel. Një emër si Fatos Nano, një potencial që s’shteroi as pas 30 vitesh, një lider që përqafon aprovimin e masës, një skenik politik i pavenitur në shkëlqimin e kahershëm. Sprovimi i pazakonshëm i një qeverie që udhëhoqi nën tutelën e agresionit opozitar, ofroi paqen e progresin e përkohshëm që ngjalli diskomfortitet në kampin oponencial të painteresuar për qetësinë kapitaliste. Në vitet më të errëta të diskurit politik të vendit, ishin interesat vetjake të aktorëve ambicioz që mjegulluan aktualitetin e vendit, në këtë rradhë helmuese nuk rreshtohej Fatos Nano.
Në vitin e vrazhdë të ‘91-shit, Fatos Nano u bë lektor i një vendimi të pamësuar ende prej klasës politike shqiptare, akti i dhënies së dorëheqjes për të tërhequr inverso zvarritjen e trazirave që e orientonin Shqipërinë drejt destabilizimit ekonomiko-politiko-shoqëror. Dy vite më vonë, vala e nxehtë e 30 Korrikut goditi Prokurorinë e Tiranës me letërnjoftimin e adresuar në emër të liderit të opozitës. Fatos Nano akuzohej si burimi i një dëmi të kalkulueshëm në miliona dollarë me ndihmat italiane, por paçka se ai i referohej ngërçit abuziv si aferë e përtejdetit, organi legjislativ i heshti hetimit të së vërtetës. Fatos Nano ishte shumë për cektësinë e matricës së kupolës oponenciale, ndaj skeda qeveritare zgjodhi ta bënte kurban. Afro 4 vitet e prangosura në emër të një akuze hipotetike, e ngarkuan Nanon emocionalisht me një zbrazëti që e tejkaloi koston e politikbërjes, nuk ia kursyen as nënën. Një ngjarje rrënqethëse, drithëruese e asfiksuese për të cilën ai shigjeton “in person” Sali Berishën, direktiva e linjës politike të shtyn drejt bindjes. I pari politikan i arrestuar, i pari lider që nuk nxiti zallamahi trazirash kur u gjend në ditë stuhish, i vetmi që asokohe aspironte kanalizimin drejt paqes.
Abnegacioni i Fatos Nanos dhe qasja e tij novative e rikthyen sërish në arenën politike të 1997-s, si establishment me parim aksiomatik rivendosjen e rendit në vend. Në 4 episodet e zgjedhjes si kryeministër, në harkun kohor 1991-2002, Nano aplikoi me dogmatizëm rimëkëmbjen politike e sociale kombëtare duke mos e konsideruar kurrë të nesërmen si opsionale. Një paralelizëm ekstrem me qeverisjen e së djathtës, që fluturimthi lëshonte plumba e hartonte skema piramidale fatale që zymtësuan jetën e shqiptarëve, a thua se s’kish qenë mjaftueshëm e tillë. Tejet populiste, teza se lufta brenda llojit është më e egër, u mishërua në përplasjet Nano-Meta ku potenciali dominues i Nanos spikaste pareshtur. Politika është destinacion sfidues, njerëzit që ngjiten lart e shkojnë larg, mbajnë veshur një mision të paracaktuar. Ky bekim i Zotit, fatit a rrethanave nuk ishte në anën e Metës, zemërimi i të cilit çoi në themelimin e LSI-së. Një lëvizje diabolike për “shah-mat”, që pas pothuajse dy dekadash nuk i cënoi PS-së asnjë votë të vlefshme. LSI, një kupolë nepotike që s’u bë kurrë as degë minimaliste e së majtës. Socialistët e vertetë kanë një dhe vetëm një strehë! Ftesa për Ramën, një rebel inovator ishte dëshmi se Nano nuk ushqente centralizimin e partisë, por i shërbeu asaj në funksion të demokratizimit të brendshëm.
Fatos Nano është aset i së majtës, një intelektual elitar unik, një njeri i sprovuar prej kampit kundërshtar padrejtësisht, një rikthim i nevojshëm. E vërteta e faktorit paqeruajtës të Nanos ngjalli anatemim e ndjeshëm oponencial të Sali Berishës. E vërteta inatos ata që jetojnë në gënjeshtrat e tyre!