Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico, ka deklaruar se ka dyshime për qarkullimin e varianteve të reja të COVID. Fico theksoi se aktualisht ka një dinamikë të re në infektimet me COVID19, ku vërehet një rritje e të infektuarve në grupmoshat 15-24 vjeç.
“Të dhënat tregojnë se përvec rritjes në grupmoshat nga 45-64 vjec, që dominojnë rastet positive të konfirmuara, në javët e fundi ka një rritje të incidencës tek grupmosha 15-24 vjec. Ky element, shpejtësia e përhapjes së infeksionit si edhe sinjalet që aktualisht kemi nga Laboratori i Institutit të Shëndetit Publik, përbëjnë dyshimë të arsyeshme për prezencën e varianteve të reja të COVID19 në Shqipëri”, tha Fico.
Fico u shpreh se në 3 javët e fundit ka një rritje të rasteve të COVID19, çka është reflektuar edhe me rritjen e numrit të të shtruave në spitale,
“Situata epidemiologjikë në 3 javët e fundit ka një tendencë në rritje të rasteve të reja të konfirmuara me covid19, vecanërisht e shprehur në javën e fundit, ku incidence është më e lartë, pra përhapja më e madhe. Mesatarja e rasteve ditore në javën e fundit, krahasuar me javën paraardhëse, është rritur nga 836 në 1030. Edhe faktorët e tjerë si, numri i të shtruarve në spitale dhe në terapi intensive kanë pësuar rritje, ndërsa mosha mesatare e shtrimeve në spitale është ulur”, nënvizoi Fico.