Lulzim Basha prezantoi dje disa faqe të shkruara shpejt, mbi të cilat kishte vendosur titullin “Programi i PD për Arsimin”. Përveçse shumë i dobët nga ana e përmbajtjes dhe memeve që krijoi në rrjet me “leptopa” falas, që kujtonin deklaratat e Sali Berishës vite me parë se do të pajiste çdo familje shqiptare me kompjutera “jo Pentium 4, por Pentium 3 dhe Pentium 2 me 100%”, ajo që ra në sy ishte skuadra e hartimit të programit që prezantoi Basha. Kryetari i PD-së ishte rrethuar nga emra jo të panjohur për publikun. Sigurisht, veç vetes, ai kishte zgjedhur si fytyra për t’u shfaqur në ekran Albana Vokshin dhe Ndriçim Mehmetin, si dy ekspertë për çështjet e arsimit, me poste të larta në drejtim të arsimit në vitet 2009-2013.
Por, prapa tyre dhe në rreth qëndronin me radhë: Myqerem Tafaj, ish ministër i Arsimit në qeverinë e Berishës; Skënder Uku, ish Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Arsimit, Edlira Late, ish Drejtoreshë e Përgjithshme e Arsimit të Lartë. Të gjithë këta emra duhen rikujtuar se çfarë roli kanë patur në qeverinë e Berishës dhe si kanë ndikuar ata në “vitrinizimin” e arsimit të lartë shqiptar. Myqerem Tafaj, ish ministër i Arsimit, njeriu që së bashku me Berishën licencuan një numër të madh universitetesh kioska, si “Vitrina” dhe “Kristal”, të cilat më pas prodhuan diploma pa vlerë, pa shkuar fare në shkollë. Skandali i universiteteve fallso shpërtheu në 2013, me ardhjen e PS në qeveri, e cila vendosi mbylljen e tyre. “Vitrina” dhe “Kristali” prodhuan diploma të lëshuara me klering, që shkonin madje edhe deri në këmbim të lyerjes së institucionit apo të prodhimeve blegtorale e druve të zjarrit.
Skënder Uku, ish Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Arsimit gjatë kohës kur qeveria Berisha dhe ministri Tafaj vendosi të hapte Universitete si “Vitrina” dhe “Kristal”. Ideja që Uku dhe Tafaj kishin për arsimin e lartë dhe studentët ishte që edhe universiteti “Vitrina” të prodhonte mjekë dhe infermierë. Është e frikshme të imagjinosh se ç’mund të bënin mjekët dhe infermierët e “Vitrinës” së Berishës, Tafajt dhe Ukut, që të kujtojnë gjyqtarët e Plepave, në kohën e pandemisë së Covid19 që po jetojmë sot.
Edlira Late, ish Drejtoreshë e Përgjithshme e Arsimit të Lartë, ka firmosur me dorën e saj hapjen e programeve të universitetit “Kristal”. Kujtojmë këtu se ky universitet mundësonte të merrje diplomë të shkollës së lartë pa u paraqitur fare në auditore. Rasti i Renzo Bossi-t, djalit të liderit të Lega Nord, Umberto Bossi, e vërteton këtë. Ai u diplomua në Shqipëri në shtator të vitit 2010 për Administrim Biznes në Universitetin privat “Kristal”, pa ardhur fare në Shqipëri. Ndriçim Mehmeti, në vitet 2009-2013 ka mbajtur poste të larta në drejtimin e arsimit të lartë, por njihet si militant i Partisë Demokratike, i cili shkarkonte mësues e drejtorë për çështje partie. Përtej fjalëve të bukura në televizor për “leptopë” falas dhe nën parrullën ishte më mirë kur ishte keq, kjo është skuadra që Lulzim Basha i propozoi dje shqiptarëve për arsimin në Shqipëri.