Ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka shfrytëzuar një takim me gra të zonës së Paskuqanit, për t’iu përgjigjur deklaratave të bëra nga përfaqësues të PD, të cilët ditët e fundit kanë përdorur një diskurs politik tepër agresiv.
“Politikës që flet me gjuhën e dhunës, politikës që zotohet se do presë gishta e do nxjerrë sy, i ka ardhur fundi!”, shkruan në rrjetin social “Facebook” Spiropali duke shtuar optimiste se në zgjedhjet e 25 prillit, PS do të fitojë mandatin e tretë qeverisës, pasi: “për gratë, për fëmijët, për njerëzit energjikë të Paskuqanit që mbështesin çdo ndryshim, çdo punë të mirë: Kopshte, shkolla, shërbime, ura, kanalizime, rrugë të munguara në 30 vite”
Ministrja Spiropali, njëherazi Drejtuese Politike e Qarkut Tiranë, shprehet më tej se shqiptarët tashmë janë të bindur që nuk mund të kthehen pas dhe të rikthejnë në pushtet, parti që i kanë përdorur thjesht si hambar votash. “Më #25Prill politika e marrë fund e rrenave dhe e dhunës përgjigjen do ta marri siç e meritojnë. Paskuqani do të vazhdojë përpara me Edi Ramën për mos t’u kthyer kurrë pas te koha e atyre qe Paskuqanin e përdorën si hambar votash, por kurrë nuk i respektuan, kurrë nuk i ndihmuan”, shkruan Spiropali.