Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se procesi i vaksinimit antiCOVID po shtrihet gjithandej dhe shumë shpejt do të vaksinohen të gjitha bluzat e bardha dhe të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve. Nga Vlora ku ndoqi nga afër procesin e vaksinimit për mjekët dhe infermierët në qendrën e ngritur në Pallatin e Sportit në Vlorë, Rama tha se ditën e diel do të nisi vaksinimi për personat mbi moshën 80 vjeç dhe brenda marsit do të kemi 40 mijë doza nga Pfizer.

“Tani kjo është një punë që po shtrohet me shpejtësi shumë shpejt do kemi të gjithë bluzat e bardha të vaksinuar. Do kemi të gjithë të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve dhe personelin e atyre shtëpive, të vaksinuara dhe do të fillojmë me moshat 80+. Ditën e diel me disa personalitete publike mbi 80 vjeç të cilët sigurisht do të japin edhe mesazhin e sigurisë dhe të dobisë së vaksinimit”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.

Rama sqaroi se “nuk janë thjeshtë personalitete publike, por janë të moshuar në moshën 80 e lart. Faktikisht do ta bëjnë gjithsesi vaksinën e asaj grup moshe dhe do ta fillojmë me ta për faktin se jep një mesazh për të gjithë në aspektin e garancisë së vaksinës, por sigurisht për të ju shprehur edhe një respekt, nuk diskutohet. Nuk mundet të jemi prezent për ta vetëm kur, larg qoftë, ndahen nga jeta ku mbahen ato fjalimet e përmalluara dhe ndihemi keq që s’bëmë për ta aq sa mund të kishim bërë dhe në këtë rast këtë mund ta bëjmë”.

Duke u ndalur te puna për mandatin e tretë qeverisës, Kryeministri Rama deklaroi se “për mua çelësi për mandatin e tretë është që çdokush që është i pakënaqur të shikojë tek unë një të pakënaqur më shumë se unë jam i pakënaquri më i madh për faktin se ka kaq shumë ende për të bërë dhe njerëzit vërtetë kanë të drejtë pas një pritshëmrie të gjatë të duan shumë më tepër dhe të vazhdojmë rrugën”.

“Shqipëria që kemi sot nuk krahasohet fare me atë që kishim 7 vite më pare e kusur. Nëse e shikojmë pikturën e gjendjes së vendit në të gjithë sektorët në raport me dje, ne meritojmë me patjetër besimin për të vazhduar punën. Nëse e shikojmë në raport me ku duam të shkojmë, unë jam i pakënaquri numër një dhe të gjithëve u them pakënaqësia është legjitime prandaj të vazhdojmë punën edhe më shumë se ka kaq shumë për të bërë”, tha Rama nga Vlora.