Ilir Meta tha se më 25 prill do ketë pjesëmarrje historike në votime. Duke folur nga Vlora për akuzat e kryeministrit, Kreu i Shtetit deklaroi se kushdo që do t’i demoralizojë shqiptarët për të mos votuar të lidhë kokën me peshqir, pasi Shqipëria do ngrihet më këmbë.
Siç tha ai, shqiptarët e kanë kuptuar se fuqia e tyre është vota.
“Me pasaporta, me karta, me shpata shqiptarët do shkojnë të votojnë më 25 prill, kjo histori ka përfunduar. Kushdo që do t’i demoralizojë, të lidhë kokën me peshqir. Pjesëmarrja do jetë historike. Shqipëria do ngrihet më këmbë. Shqiptarët e kanë kuptuar se fuqia e tyre është vota. Vota është e drejta e pronës, e drejta për punë, e drejta për të përballuar një jetë me dinjitet, për t’u përfshirë nga pikëpamja sociale dhe ekonomike.
Çdo përpjekje për të demoralizuar shqiptarët është e dështuar. Të gjithë të shkojnë dhe të votojnë për të ardhmen europiane të Shqipërisë, për dinjitetin e tyre, kundër shpopullimit të Shqipërisë. Është një dramë e madhe. Në Shqipëri nuk kemi largim, kemi shpopullim.
Duhet t’i krijojmë të gjithë mundësinë që jo vetëm të lindin në Vlorë dhe të jenë krenarë por edhe të kenë një të ardhme të mrekullueshme”, deklaroi Meta.