Platforma sociale TikTok ka rënë dakord të bllokojë aplikacionin e saj për të gjithë individët që duan të regjistrohen nën moshën 13 vjeç. Ky vendim vjen pas ngjarjes tragj ike në Siçili të Italisë ku një vajzë 10 vjeçare humbi jetën ndërsa po merrte pjesë në sfidën “Blackout” në Tik Tok. Kjo e shtyu Autoritetin e Mbrojtjes së të Dhënave të Italisë (Garante) të urdhërojë TikTok-un të shtrëngojë politikat e tij për përdoruesit e rinj.
Ai gjithashtu urdhëroi firmën të bllokojë të dhënat e përdoruesit kur mosha e përdoruesit nuk është verifikuar saktësisht. Të Mërkurën, TikTok konfirmoi se ishte dakord me kërkesën dhe po zbatonte masa të tjera. Nga 9 shkurt, platforma thotë se do të kryejë sërish një proces të verifikimit të moshës për çdo përdorues Italian, dhe vetëm ata që vërtetojnë se janë 13 vjeç ose më të rritur do të mund të përdorin aplikacionin. Gjithashtu kompania, po shton një opsion një të ri brenda aplikacionit për të lejuar përdoruesit të raportojnë një llogari nëse besojnë se mund të jetë regjistruar dikush nën moshën 13 vjeç
Shefja e platformës për sigurinë e fëmijëve në Evropë Alexandra Evans tha se mbajtja e njerëzve në TikTok të sigurt ishte përparësia kryesore e tyre. “Ne kemi arritur një marrëveshje me Garante dhe sot po ndërmarrim hapa shtesë për të mbështetur komunitetin tonë në Itali. Nuk ka limite kur bëhet fjalë për mbrojtjen e përdoruesve tanë, veçanërisht të rinjve, dhe puna jonë në këtë fushë nuk do të ndalet .Ne po vazhdojmë të investojmë në njerëz, procese dhe teknologji që ndihmojnë për ta mbajtur komunitetin tonë një hapësirë të sigurt.”
Rregullatori i Italisë ka deklaruar se do të monitorojë efektivitetin e masave të reja dhe po punon ngushtë me Komisionin e Mbrojtjes së të Dhënave të Irlandës për këtë çështje. Autoriteti Italian kishte këshilluar TikTok-un në Dhjetor për një seri shkeljesh, duke thënë se platforma i kishte kushtuar pak vëmendje mbrojtjes së fëmijëve. Italia gjithashtu ka vënë në dyshim Facebook-un dhe Instagram-in nëse platformat po kryejnë kontrolle përkatëse për të mbrojtur përdoruesit e rinj. Presidentja e komisionit Italian për fëmijët dhe adoleshentët Licia Ronzulli tha se siguria e fëmijëve është e domosdoshme dhe duhet mbrojtur me çdo kusht.