Tire Alldervishi, një pastruese që i mori 8 milionë lekë vajzës së një të moshuare që ishte infektuar me Covid, për dy javë u kthye në epiqëndër të debatit në Shqipëri.
Dhe jo debatit shoqëror, por atij politik.
Drejtuesit kryesor të opozitës u hodhën në sulm, duke përdorur rastin e Tires për të treguar se Edi Rama ka dështuar me systemin shëndetësor.
E përdorën aq shumë këtë rast, sa e përmendnin në çdo takim e deklaratë politike, ndërsa mediat merreshin veç me të, duke bërë dhjetëra emisione.
Dy ditë më parë, u zbulua një rast edhe më i rëndë, që nuk kishte të bënte veç me një paciente, por e dhjetëra, në mos qindra, që mendohet se janë vjedhur ngë nja mjek, Edvin Prifti.
Ky i fundit u arrestua pas një operacioni të SPAK në Gjykatën e Krujës, ku rastësisht doli edhe emri i tij, se merrte ryshfet nga pacientët.
Gjatë një kontrolli në shtëpinë dhe zyrën e tij, mjekut iu gjetën rreth 500 milionë lekë, të cilat mendohet se janë përfituar nga pacientë të ndryshëm që ai i ka trajtuar në spitalin shtetëror.
Pa dashur ta fajësojmë mjekun, derisa një gjë të tillë ta bëjë drejtësia, duhet thënë se rasti i tij është shumë herë më i rëndë, pasi është simbol i mjekëve që nuk të prekin me dorë dhe të të operojnë, nëse ti nuk paguan.
Pra, është simbol i mjekësisë në Shqipëri, ku mjekët janë bërë miliarderë.
Çuditërisht, për këtë rast kanë heshtur si opozita, ashtu edhe mediat pranë saj.
Ndryshe nga rasti i Tires, për opozitën ky rast nuk tregon dështimin e sistemit shëndetësor të Edi Ramës.
Ata në fakt kanë arsye të fortë që nuk flasin.
E para, se mjeku Prifti është ‘viktimë’ e drejtësisë së re, së cilës i frikësohen disa nga drejtuesit kryesorë të opozitës.
Ndaj ata nuk mund të dalin e të flasin, sepse do të inkurajonin SPAK, gjë që deri më sot nuk e kanë bërë.
E dyta, se Prifti është produkt i sistemit shëndetësor të këtyre 30 viteve, ku një pjesë të madhe të fajita e kanë pikërisht ata që drejtojnë sot opozitën, pasi kanë toleruar korrupsionin në shëndetësi kur kanë qenë vetë në pushtet.
E treta, se nuk e lidhin dot rastin e tij me Edi Ramën, siç tentuan ta bëjnë me Tiren, edhe pse rastet në fakt janë të ngjashme.
E katërta, shumë prej mediave që sot heshtin, e kanë pasu promovuar mjekun Prifti, duke e ftuar nëpër emisione dhe duke botuar shkrimet e tij.
Ndaj, ndryshe nga rasti i Tires së “shkretë” dhe pa mbështetje, që iu hodhën të gjithë përsipër, sikur ajo të ishte mëkatarja e madhe e sistemit shëndetësor, sot heshtin për rastin e mjekut Prifti.