Kryeministri Edi Rama bashkë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministrin për Rindërtimin Arben Ahmetaj, ndodhen në Aeroportin “Nënë Tereza” ku pritet mbërritja e 8190 dozave të vaksinës Pfizer. Duke folur për situatën epidemiologjike, Manastirliu tha se ka një trend të qëndrueshëm të infeksioneve ditore. “Ne kemi një vlerësim dinamik të situatës. Ka një ekip ekspertësh jo vetëm nga Komiteti Teknik, por edhe nga Instituti Shëndetit Publik dhe ekspertë të organizateve ndërkombëtare për të bërë vlerësimin e situatës epidemiologjike. Kemi një trend të qëndrueshëm të infeksioneve ditore. Por situata vlerësohet në bazë të incidencës, qoftë javore, apo dyjavore.

Duke folur për efektin e masave të marra së fundmi si ora policore, apo alternimi i mësimit në shkolla, Manastriliu tha se efekti i tyre nuk pritet të shihet menjëherë, ndërkohë që rishikimi i masave do të bëhët nga Komiteti Teknik i Ekspertëve në fund të kësaj jave. “Masat që kemi marrë qoftë ora policore nga ora 8 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, apo alternimi i mësimit pritet të kenë një impakt, por nuk shihet menjëherë. Në fund të kësaj jave do të kemi një rivlerësim 14 ditor të masave. Komiteti do të dalë me një analizë të plotë, dhe më pas do të vendoset nësë do të ketë shtrëngim të masave”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se është në dorën e qytetarëve që të mos kemi shtrëngim të masave pasi mund të zbatojnë rregullat e vendosura, qoftë duke përdorur maskat, qoftë duke ruajtur distancën, të cilat ministrja i quajti “armë të thjeshta” për të mos shkuar drejt një situate që shuëm vende europiane kanë muaj që janë.