Në vijim të turit në kryeqytet, kryebashkiaku Veliaj zhvilloi një takim me banorët e Njësisë 2, ku theksoi se opozita ka krijuar distancë nga hallet e popullit dhe njerëzit po e shohin dita-ditës.
Ata të koalicionit të Gjirit të Lalzit nuk kanë lidhje me realitetin. Prandaj, mirë se keni ardhur në familjen e PS. Kushdo që vjen nga PD, LSI, PDIU, sot gjithmonë e më shumë, po shkojnë aty ku është e mira, ku është e mbara, aty ku po punohet, ku njerëzit përveshin mëngët e duan të ecin edhe më shpejt për të kapur kohën e humbur, tha Veliaj.
Ai u ndal te kandidatura e PD-së për Njësinë 2, Jorida Tabaku, për të cilën tha se çuditet si ka mundur të luftojë kundër ndërtimit të një shkolle të re, dy herë më të madhe, siç është “Sami Frashëri”.
Ju kishin sjellë shoqen time të “Sami Frashëri”-t, Joridën, ish nënkryetare e Bashkisë. Po si mund të kesh qenë te “Sami Frashëri” e t’i sulesh rindërtimit të shkollës? Në vend që të thotë nuk ka rëndësi, të majtë e të djathtë, se shkolla jonë po bëhet dy herë më e madhe, më e forte dhe për 1500 nxënës, dhe pa turne, shkon e lufton ndërtimin e shkollës, ky është qameti!, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se PD është parti pa moral, duke kujtuar të gjitha rastet kur ka protestuar dhe vonuar punët në kryeqytet, por në fund të gjitha projektet janë realizuar dhe sot edhe ata vetë po i përdorin.
Te Astiri thanë: Këtu do shtrihet dhe do vdesë partia jonë, po u bë rruga te Astiri. Tani rruga po bëhet për bukuri, kapën një makinë për partinë dhe e lanë. Rruga e Kombit thanë, vetëm kur të vdesim ne do bëhet me tra. U bë rruga me tra, ata kapën ca zyra në një hotel dhe e lanë. Ky Bulevardi i Ri thanë: Vetëm po vdiq PD, do bëhet. Bulevardi i Ri mbaroi. PD nuk vdiq, po morën gjobat e tyre. Pyetja është: Kur ti s’ke as moral, ç’diferencë ka mes një partie politike që vë gjoba dhe një hajduti që të vjedh kasën e lokalit? Hajduti është me kapuç, ky të vjen me kollare, tha ai.