Në këto ditë të ftohta dimri, sidomos si kjo e sotmja, ku qyteti u mbulua nga dëbora, Bashkia e Tiranës me të gjitha strukturat e saj është në gatishmëri për të ndihmuar të pastrehët, për të pastruar rrugët apo për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që ka nevojë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi në Qendrën Sociale “Strehëza” në Shkozë, personat e strehuar aty, per te cilet ekipi i terrenit u kujdes që të kalonin mbrëmjen në një ambient të ngrohtë dhe me ushqim.

Veliaj theksoi se është e rëndësishme që qytetarët të jenë të sigurt dhe me kushtet e duhura në këto ditë të ftohta, ndaj edhe vëmendja më e madhe do jetë për ta.

“Rrugët dhe pemët mund t’i rikuperojmë, por njerëzit janë të parikuperueshëm. Kjo është arsyeja pse i kemi dhënë një vëmendje të veçantë atyre që janë në situatë rruge. Siç e patë edhe nga një sondazh i vogël, qoftë edhe në tavolinën e drekës sot, me ata qytetarë që janë kapur në situatë rruge, nga 20 vetë, vetëm dy janë të Tiranës, 18 vijnë nga qytete të tjera”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje familjarëve që t’i mbajnë afër njerëzit e zemrës, ndërsa tha se janë 5 qendra sociale në gatishmëri për raste të tilla.

Gjithashtu, Veliaj siguroi që ekipet e Bashkisë së Tiranës do të jenë gjithmonë aty për të ndihmuar këdo që ka nevojë në ditë të vështira, duke i ofruar një strehë të ngrohtë si në familje. Ndërsa, u kërkoi qytetarëve të Tiranës që të raportojnë çdo lloj problemi që mund të hasin, duke u rikujtuar atyre numrin ku mund të telefonojnë.

“Ne vërtet kemi vështirësi e nevoja, por nuk jemi keq për të hapur zemrat, dyert, për t’u siguruar që janë ngrohtë, kanë një shtrat ku rrinë brenda dhe jo poshtë urave. Sigurisht do kujdesemi që të bëjmë edhe transportin, për t’i rikthyer në familjet e tyre ata që janë nga qytete të tjera, që është edhe shumica e këtij kontigjenti. Nëse ka pemë të tjera që kanë rënë ose janë gati për të rënë, ju lutem sinjalizoni, 0800 0888, që të kemi mundësi që skuadrat e sharrave të presin drutë, të hapin rrugën dhe të vazhdojë qarkullimi normalisht”, theksoi ai.

Gjithë ekipi i Bashkisë Tiranë është në terren duke ndihmuar këdo që ka nevojë dhe pastruar e sistemuar rrugët nga dëbora apo nga pemët e rrëzuara si pasojë e motit të keq.