Sipas Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, qytetarëve, që u ka kaluar afati i përdorimit të ID-së, do të mund të votojnë. Qytetarët, me letërnjoftim, jashtë afatit dhe që figurojnë në listat përfundimtare të votuesve, mund të paraqiten në qendrën përkatëse të votimit. Ndërkohë, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, që nga fillimi i procesit të votimit deri në orën 13:00, dalja e qytetarëve në votim në nivel vendi është raportuar të jetë 19.8%.
Pjesëmarrja e qytetarëve në votime e ndarë sipas rajoneve e nxjerr Prishtinën 2% më lartë se mesatarja në nivel vendi. Ndërsa, pjesëmarrja e votuesve në Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë është afërsisht sa mesatarja e përgjithshme. Gjakova dhe Peja kanë regjistruar përqindjen më të ulët, me rreth 18% e zgjedhësve ndërsa dalja në votime në komunën e Prizrenit është edhe më e ulët, 4% më e pak se mesatarja e përgjithshme (prej 19.8%).