Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një videoje të publikuar nga Partia Demokratik, ku tregohet mjerimi i të dy moshuarve. Sipas Ramës, ndryshe nga çfarë pretendohet, çifti sot jetojnë në një shtëpi të re, ku qiraja paguhet nga Bashkia e Kolonjës.
“Hienat nuk do të na ndalin dot dhe as do ta çorodisin dot Popullin, Shqipëria ka Zot!” thuhet ndër të tjera në postimin e kryeministrit në Facebook.
Reagimi i Ramës: Ja si qëndron e vërteta, pas shfaqjes së radhës me aktorë kryesorë ish deputetë të partisë demokratike: Banori që po takon zoti Spaho, quhet Petraq Dhespollari. Ndonëse ai dhe bashkëshortja e tij, shtëpinë që po i tregojnë zotit Spaho, e dëmtuar sot nga tërmeti, nuk e kishin të tyren, por e kishin zaptuar pa të drejtë, pas largimit të pronarit të ligjshëm të saj në emigracion, menjëherë pas tërmetit, për këtë çift është gjetur një alternativë e re jetese nga autoritetet shtetërore.
Faktet tregojnë se zoti Spaho gënjen kur thotë që çifti vazhdon të jetojë në rrënojat e një tërmeti duke rrezikuar jetën sepse prej vitit 2019, ata banojnë në një shtëpi të re, qeraja e së cilës u paguhet nga Bashkia Kolonjë. Përmes këtij vendimi të datës 23 shtator 2019, këshilli bashkiak kolonjë ka miratuar bounsin e qirasë në masën 100 % për disa familje të dëmtuara nga tërmeti në fshatin Qafëzez, mes të cilave edhe ajo e Petraq Dhespollarit.
Më pas është lidhur dhe kontrata e qerasë midis pronarit të shtëpisë së re dhe zotit Dhespollari në datë 19 dhjetor të vitit 2019 përpara noteres. Sikurse tregon edhe kjo faturë e bonusit të qerasë, zoti Dhespollari dhe bashkëshortja e tij kanë vijuar të marrin dhe do të marrin bonusin e qerasë pa afat, deri në sigurimin e një banese të re nga programet sociale të strehimit, pasi ata vetë nuk zotërojnë ligjërisht asnjë banesë.
Por ndërkohë që çifti i të moshuarve ka mundësinë ta kalojë dimrin në një banesë me kushte normale, partia demokratike vijon me politikën e vjetër të përdorimit si mish për top, të njerëzve të zakonshëm, me shpresën se vetëm kështu, duke prodhuar dramë e fatkeqësi me çdo kusht, do të mund të rrëmbejë në këto zgjedhje, ndonjë grusht votash!