Bilanci i ri i koronavirusit në Itali tregon rritje, me 16424 të infektuar të rinj, nga 13314 të ditës së djeshme, si në rritje është edhe niveli i pozitivitetit, 4.8%. Viktimat e deklaruara janë në ulje, 318 nga 356 të 24 orëve më parë.

Lombardia dhe Piemonte janë rajonet më të goditura, me këtë të fundit në rritje shqetësuese.

Nga testimet e fundit, rreth 30% të pozitiviteteve të reja janë varianti anglez i virusit, dhe me këtë ritëm virologët mendojnë se ky variant do të jetë dominant në Itali brenda marsit.

Shifrat dhe frika nga mutacionet nuk po ndihmojnë qeverinë italiane për të deklaruar një zbutje të masave parandaluese, dhe dje Ministria e Shëndetësisë mohoi hapjen e gjithë aktiviteteve si palestra, pishina, bingo etj, ndërkohë që për kinema dhe teatro ekziston një mundësi për muajin prill.

Për Komitetin e ekspertëve italianë, masat e sotme duhet të mbahen të paktën deri për festat e Pashkëve, përfshirë zonat e kuqe selektive, që përfshijnë jo më zona dhe rajone por bashki dhe territore specifike, ku zbatohen karantina.