Pas reshjeve të dendura dhe vështirësive të krijuara orëve të fundit, qyteti i Vlorës është kthyer në normalitet. Lajmin e ka bërë të ditur, drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës, njëkohësisht edhe deputet i kësaj zone, Damian Gjiknuri. Nëpërmjet pamjeve të publikuara, Gjiknuri iu është përgjigjur edhe atyre që “që fërkojnë duart” nga gëzimi në momentet kur qyteti përballet me situata emergjence dhe shkruan se nuk ka asnjë forcë politike që mund të ndalë reshjet e shiut por koha kur qyteti qëndronte me ditë të tëra nën ujë ka marrë fund.
Postimi i plotë:
Pas vështirësive të krijuara në qarkullim prej reshjeve intensive të shiut, situata në rrugët e qytetit të Vlorës është normalizuar. Nuk ka patur dhe as nuk do të ketë forcë politike me fuqi të mbinatyrshme për të ndaluar reshjet e shiut. Koha kur rrugët e qytetit qëndronin të përmbytura me ditë të tëra ka marrë fund ndërsa kthimi në normalitet është i shpejtë falë dhe punës së palodhur të burrave e grave që punojnë çdo ditë në ndërmarrjet e ujësjellës/kanalizimeve dhe pastrimit të qytetit. Ata që nxitojnë brenda orës të vetfotografohen për të përdorur politikisht edhe reshjet e shiut po u tregojnë në fakt qytetarëve të Vlorës se sa të zellshëm janë për të dëmtuar qytetin dhe imazhin e tij duke hiperbolizuar situatat e pashmangshme të emergjencës që fatmirësisht tashmë zgjasin shumë pak orë. Të gjithë e dimë se ata janë të paaftë të bëjnë mirë por për të dëmtuar qytetin janë gjithmonë të gatshëm! Minimalisht do duhet të dilnin në rrugë edhe tani për tu treguar të gjithëve se ato janë plotësisht të kalueshme dhe në normalitet. Qytetarët e Vlorës janë të aftë të kuptojnë dhe ndëshkojnë ata që fërkojnë duart nga gëzimi në momentet kur qyteti përballet me situata emergjence. Lexo.al/