Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó, i cili zhvilloi një vizitë një-ditore në Shqipëri. Dy ministrat evidentuan detyrimet e përmbushura nga Shqipëria dhe ndanë të njëjtin mendim se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është domosdoshmëri në funksion të sigurisë së vetë unionit.
“Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë! Dhe presim që BE t’i qëndrojë fjalës së saj për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, brenda Presidencës portugeze. Shqipëria do të vazhdojë me reformat dhe punën për modernizimin e vendit, ashtu siç do të vazhdojë të luajë një rol kyç konstruktiv në ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajonin tonë, ashtu siç ka bërë deri më sot”, deklaroi ministrja Xhaçka gjatë deklaratës së përbashkët për median.
“Ne do t’i kërkojmë Europës së Bashkuar dhe vendeve që nuk janë aq të ndjeshme ndaj çështjeve të Ballkanit Perëndimor, të nisin bisedimet sa më shpejt për integrimin e Shqipërisë dhe rajonit. Kjo është e rëndësishme nga pikëpamja e sigurisë. Po shohim se presioni i emigracionit të paligjshëm mbi Ballkanin Perëndimor po përshkallëzohet. Dhe ndalimi i suksesshëm i këtij emigracioni kërkon bashkëpunim të ngushtë brenda BE”, tha ministri Szijjártó,
Temë e bisedimeve ishin edhe marrëdhëniet ekonomike. Ministrja Xhaçka theksoi se, për të dy vendet, diplomacia ekonomike është një prioritet dhe për këtë, ajo siguroi homologun se investitorët hungarezë në Shqipëri do të gjejnë një mjedis mikpritës e të favorshëm për investimet e tyre. Në lidhje me investimet hungareze në Shqipëri, ministri hungarez tha se shumë shpejt një kompani hungareze do të ndërtojë së shpejti një stacion energjitik diellor me kapacitet 4MV, duke rritur kështu kapacitetin e brendshëm dhe ndihmuar në reduktimin e importeve energjitike për Shqipërinë.