Kur na ndajnë dy muaj nga zgjedhjet parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar sot një demonstrim të mënyrës së identifikimit biometrik. Pajisja bën të mundur identifikimin e votuesit në kohë të shpejtë, ndërsa shmang votimin e dyfishtë. Të gjitha palët politike sollën përfaqësuesit e tyre për te provuar pajisjen.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi tha se pajisja identifikon qytetarin në 1 minutë dhe se kjo do të shmang votimin e dyfishtë, një nga shqetësimet që është ngritur shpesh si problem në zgjedhjet e kaluara.

“Prezantimi i parë shkoi mirë, ajo që bën përshtypje është e saktësia dhe koha e shkurtër që duhet për të identifikuar votuesin krahasuar me mënyrën e vjetër manual të verifikimit të identitetit. Pajisja e verifikon qartë nëse dikush tenton të votojë me një dokument identifikimi të falsifikuar. Qëllimi i pajisjes është që të lërë gjurmë të qartë dhe të plotë për rastet kur një votues voton në disa qendra votimi apo jo”, sqaroi Celibashi.

Testimi i pajisjes u krye nga dhjetëra zgjedhës të rekomanduar për të qenë testues nga partitë politike

“Identifikimi elektronik i zgjedhësve do të parandalojë votimin e shumëfishtë dhe votimin për llogari të personave të tjerë. Pajisja siguron evidentimin qartë dhe në mënyrë të pakontestueshme rastet e mësipërme. Personat përgjegjës me këtë rast dënohen penalisht. Zgjedhësi në ditën e votimit do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për tu identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e KQZ.