Nga Alfred Peza
Vetëm një kandidat i opozitës për Kryeministër si Lulzim Basha, ka aftësinë e rrallë për tu bërë meme, në çdo gjë që bën. Edhe kur flet për gjërat më të thjeshta, më të zakonshme, ato më jetësoret e të përditshme të çdo njeriu në këtë rruzull, do e lë gjurmën e tij unikale. Edhe kur flet për gjërat më serioze, më të mëdha, më të rëndësishme, më impenjative dhe më me ndikimin në jetën e shoqërisë shqiptare, e njëjta gjë.
E tregoi këtë talent të jashtëzakonshëm, të pakonkurueshëm prej askujt tjetër në këtë vend, edhe në atë që duhej të ishte ngjarja më kulmore e jetës së tij politike. Promovimi i librit të tij të parë “Misioni im”, duhej të ishte parathënia e fushatës së tij elektorale për ta rikthyer opozitën pas 8 vitesh në pushtet. Mbi të gjitha, duhej të ishte pararendësja e një fitoreje të pandalshme përgjatë një muaji të fushatës zyrtare zgjedhore, që thjeshtë sa do formalizohej më 25 prill.
E pikërisht ky moment, që ka qenë një nga pikat përcaktuese të karrierës së shumë liderëve kudo në botën demokratike përgjatë historisë moderne të politikës, për Lulzim Bashën u shndërrua në momentin e thyerjes së të gjitha rekordeve të deritanishme për prodhimin e memeve. Duke provokuar shpërthimin në rrjetet sociale dhe mediat online të një vullkani humori, sarkazme, qesëndisjesh, talljesh, ngacmimesh, rromuzesh, batutash dhe mizanskenash komike e groteske.
Imagjinoni për një çast valën e interesit që ngjalli një dekadë më parë, libri “Kurban” i Edi Ramës në mjedisin intelektual, politik dhe atë mediatik të Tiranës së vitit 2011 dhe krahasajoni me reagimin për librin e Lulzim Bashës. Mjafton që ti krahasoni reagimet në të dyja këto momente, përmes një loje të thjeshtë pasqyrash, për të kuptuar edhe diferencën e thellë mes tyre. Përballë njëra tjetrës, qëndrojnë dy pamje krejt të kundërta reagimesh publike, të cilat dëshmojnë se kë marin seriozisht dhe kë me të qeshur shqiptarët.
Pasqyra ku pamë 10 vjet më parë qasjen publike ndaj librit të liderit të atëherëshmë të opozitë dhe reagimin popullor për veprën që mban emrin e liderit të sotëm të saj, dëshmon edhe për fatin që i ndjek më pas në karrierën politike dy autorët e tyre. Edi Rama vetëm dy vjet pas suksesit të jashtëzakonshëm që korri me botimin e tij, triumfoi edhe në skenën politike shqiptare, duke u bërë Kryeministri i Shqipërisë. Ndërsa dështimi i Lulzim Bashës, thjeshtë sa na sinjalizon që tani, se jemi para një dështimi të paralajmëruar.
Reagimi i paprecedentë ndaj veprës publicistike të një lideri të rëndësishëm politik, thjeshtë sa na dëshmoi atë që e dinim edhe më parë, se shqiptarët nuk e marin seriozisht Lulzim Bashën.
Shqiptarët nuk e kanë marë seriozisht Lulzim Bashën, as kur u bë Kryetar i PD, në një garë të paravendosur përballë Sokol Olldashit.
Shqiptarët nuk e kanë marë sersiozisht Lulzim Bashën, as kur braktisi tryezën e reformës për ndarjen e re administrative- territoriale të vendit dhe as kur u fut në çadrën e “Republikës së Re” në bulevard.
Shqiptarët nuk e kanë marë seriozusht Lulzim Bashën as kur dogji mandatet e deputetëve të opozitës, as kur nisi “revolucionin e molotovëve”, as kur ngjirej në fund të protestave duke kënduar Himnin e Flamurit tek shkallët e oborrit të SHQUP dhe as kur bojkotoi zgjedhjet lokale duke humbur për herë të parë në historinë e PD çdo lloj përfaqësimi në të gjitha pushtetet.
Shqiptarët nuk e kanë marë seriozisht Lulzim Bashën as kur nxirrte fake news-e me shifra imagjinare të vdekurisht nga covid-19. As kur përbetohet se nuk e ka qëllim pengimin e reformës në drejtësi. E as kur bënte politikë me fatkeqësinë e tmerrshme të natyrës dhe projektin e madh të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
E vetmja gjë serioze që shqiptarët shohin tek një lider si Lulzim Basha, është aftësia e tij e parezistueshme për tu bërë meme. Sepse nuk ka gjë më serioze në këtë jetë, sesa të qeshësh me lot, sa herë sheh kandidatin tënd për Kryeministër, që të sforcohet për tiu hequr qytetarëve të vendit të vet ai që nuk është!