Kryetari i PDK, Nard Ndoka shprehet se qëllimi kryesor në këto zgjedhje është që të largohet Rama në mënyrë që vendi të çlirohet nga banda që po e qeveris aktualisht. Sipas Ndokës, partitë e vogla janë një kontribut për dy partitë e mëdha, pasi konkretisht PD do ta kishte shumë të vështirë që si parti e vetme të ishte në mazhorancë. “Objektivi kryesor është largimi i kësaj qeverisje, largimi i z.Rama si kryeministër, çlirimi i vendit nga kjo bandë që na qeveris sot.

Së pari ka një perceptim të gabuar, gjithmonë flitet sikur e keqja janë partitë e vogla ndërkohë që ne problemin e kemi me të dy partitë e mëdhaja. Ne jemi kontribues dhe një vlerë e shtuar për këto mazhoranca, për fatin e mirë tonin, por edhe për fatin e keq PD e ka shumë të vështirë që si një parti e vetme të jetë një mazhorancë dhe të qeverisë.

Ndaj e ka si një farë mënyre të detyrueshme koalicionin me disa parti aleate të cilat kanë një peshë specifike në jetën e vendit. Kemi një marrëveshje politike në parim me PD së bashku me 5 parti politike dhe për ne ishte shumë e rëndësishme që në fund të fundit kur ke një koalicion duhet të jetë një koalicion i sinqertë, duhet të jetë një koalicion parimor duke respektuar interesat e gjithësecilit”, u shpreh Ndoka i ftuar në emisionin ‘Me Xhaxhiun’.