Prej disa ditësh në Shqipëri ka nisur vaksinimi edhe me vaksinën e AstraZeneca. Mirëpo kohët e fundit ajo ka shkaktuar shqetësim pasi disa vende europiane e kanë pezulluar për shkak se dyshojnë se është e lidhur me disa raste vdekjesh.
Por kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në ambientet e shkollës ku po zhvillohet vaksinimi i mësuesve në Shkodër qetësoi të gjithë ata që janë shqetësuar. Ai u shpreh se vendet që e pezulluan janë drejt rrugës për ta rinisur sërish procesin e vaksinimit.
“Mos kini asnjë shqetësim. Mesa ne po shohim edhe vendet që e pezulluan me shumë gjasë do e rifillojnë prapë sepse bëhej fjalë për një seri që s’është kjo, është një seri tjetër dhe nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes vaksinës dhe atyre rasteve që kanë pasur. Plus që kanë dalë edhe plot të dhëna për hapat e parandalimit të rritjes së popullsisë, kanë dalë të dhëna edhe për kontraceptivët, që ka gjithmonë raste të rralla por që nuk janë pjesë e problemit”, tha Rama.
Ndërkohë shefja e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë problem me vaksinat në Shqipëri.
“Edhe reaksionet e lehta i evidentojmë, por nuk kemi parë asgjë dhe nuk ka pasur asnjë problem në vendin tonë”, tha Bino.