Kollosi i skenës shqiptare Robert Ndrenika, është vënë nën një sulm të shëmtuar nga mediat e PD dhe LSI, pse u shfaq në spotin e parë të fushatës së Partisë Socialiste. Kuptohet, prania e tij në spotin e PS-së është një goditje e fortë për opozitën, ndaj dhe balta që duan të hedhin ndaj tij, është e kuptueshme, por jo e pranueshme.
Robert Ndrenika ka bindjet e tij dhe është një qytetar i lirë, siç ka qenë edhe kur kandidoi dhe u bë deputet i PD-së, dhe që askush nuk e përgojoi. Apo dhe kur përplasej me PS-në dhe Erion Veliajn për çështjen e Teatrit Kombëtar. Dhe kur u bind se ai do të ndërtohej shumë më i mirë se çfarë ishte, u tërhoq në botën e tij, ndërkohë që vëllezërit Budina e Neritan Liçaj me shokë, e kthyen atë në një kauzë politike.
Edhe atëherë, ai që u sulmua ishte pikërisht Ndrenika, i cili luftoi për një Teatër më të mirë, jo vëllezërit Budina apo Liçaj, që Teatrin e kthyen në një kauzë për të hyrë në politikë. Këtë radhë madje, për ta banalizuar figurën e Ndrenikës, kanë arritur deri aty se ta krahasojnë me Ermal Mamaqin apo Çiljetën, pasi edhe këta të fundit kanë qenë me PD-në vite më parë, dhe sot bëjnë fushatë për PS-në.
Ata duan t’i imponojnë me zor shoqërisë, atë që ose je me ata dhe kundër Ramës, ose je i shitur, nëse bëhesh me Ramën. Alternativë tjetër nuk ka. Për ta modeli është Neritan Liçaj, që del e shan kundërshtarët me kuç e maç e kërcënon si një njeri i rëndomtë. Epo mos prisni nga një artist si Robert Ndrenika, të bjerë në nivelin e Neritanit. Dhe vazhdoni shajeni, se më shumë pikë i risni atij dhe më shumë vota i hiqni PD-së e LSI-së./Tema