Klubi i futbollit Barcelona është e pandalshme deri tani në vitin 2021 në La Liga. Që prej fillimit të vitit të ri, katalonasit e kanë tejkaluar fillim e dobët të sezonit 2020/21 dhe kanë shënuar ngritje marramendëse.
Si rezultat i formës së lartë, Barcelona i është afruar në vetëm katër pikë liderit të La Ligës, Atletico Madrid, duke i fituar 37 pikë nga 39 të mundshme. Ky rikthim i fuqishëm i Barcelonës vjen falë paraqitjeve mahnitëse të saj në 13 ndeshjet e fundit, 12 prej të cilave i ka fituar dhe ka barazuar në një tjetër.
Barcelona është e pamposhtur në ligë në vitin 2021. Ndeshja e vetme të cilën s’e fitoi ishte kundër Cadizit më 21 shkurt. Fitorja 6:1 kundër Real Sociedadit të dielën mbrëma është vetëm dëshmia e fundit se Barça është skuadra më e mirë për momentin në Spanjë.
Ndërkohë, kundërshtarët e saj për titull Atletico Madrid dhe Real Madrid kanë lëshuar pikë gjatë këtij viti. Atletico ka fituar nëntë herë, ka barazuar katër herë dhe është mposhtur një herë në 14 ndeshjet e zhvilluar në vitin 2021. Real Madridi, ndërkohë, i ka tetë fitore, tri barazime dhe një humbje në 12 ndeshjet e zhvilluara në vitin 2021 në ligë.