Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha mbrëmjen e së premtes se “të gjitha standardet dhe rregullat, që ne zbatojmë në aviacionin shqiptar, janë konform me ato ndërkombëtare”.

E ftuar në emisionin “Java në RTSH” ajo theksoi se ”në industrinë e aviacionit në Shqipëri apo vende të tjera të botës, asnjë investin nuk niset pa patur më parë një studim të mirëfilltë dhe të sigurt me standarde dhe rregulla të mirëpërcaktuara”.

“Aeroporti i Kukësit do të jetë shumë rentabël, pasi ai është një aeroport rajonal. Ai nuk është një aeroport i Shqipërisë vetëm por i shqiptarëve. Aeroporti i Kuksit, është dizenjuar si një aeroport verior i shqiptarëve dhe ne aty presim pasagjerë nga Kosova dhe nga kudo. Me koncensionarin e Kukësit, shteti nuk mban asnjë përgjegjësi financiare në rast se nuk do të jetë rentabël”.

Balluku deklaroi në studion me analistët Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli se ”aeroporti i Kukësit është premtim i mbajtur”.

“Kryeministri Rama, ka premtuar që në momentin kur ne nisëm punën atje, fluturimin e parë nga ky aeroport do ta bëjë me çunat e Kukësit, kështu që premtimi do të mbahet më 18 prill. Ne do të ulin Air Albania-n e parë. I kemi propozuar kryeministrit që në një nga faqet e tij në rrjetin social, duhet të lançojmë njoftimin që të gjithë të interesuarit të aplikojnë për fluturimin e parë”, tha Balluku.

Ajo informoi se pas fluturimit të parë, aeroporti mbetet në dorë të koncesionarit dhe kompanive për të zgjedhur destinacionet dhe operimin.

“Aviacioni Civil ndodhet në këto momente në aeroportin e Kukësit dhe ka nisur fazën e certifikimit dhe menjëherë pas kësaj do të kryehet fluturimi parë dhe më pas fuqinë e merr koncesionari”- tha ministrja për “Java në RTSH”.