Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan së fundmi u trajtua tematika e largimit të të rinjve nga Shqipëria. Për të diskutuar rreth kësaj tematike kanë qenë të ftuar një panel i larmishëm, ku ndër të tjerë edhe Andresa Ambrosio. Ajo jeton prej 11 vitesh në Shqipëri dhe e shohim çdo të diel në emisionin “E Diela Shqiptare”

Moderatorja e emisionit, Mirela Milori, i ka drejtuar pyetje Andresës se si ishte për të fillimi i jetës në Shqipëri. “Kam ardhur në vitin 2009. Përshtypja ime e parë ishte dimër, natë, dhe shi. Ishte shumë ndryshe me Brazilin, vend tropikal, ngrohtë. Të gjithë këtu flasin keq për Shqipërinë e unë kisha frikë. Por kur ecja në rrugë, xhiro nga Blloku dhe thoja sa lehtë Shqipëria. Ecja në rrugë, në diskoteka, pub-e, në shkolla, ndërsa gruaja në Brazil ka probleme kur ecën vete gjatë natës. Këtu njerëzit respektohen, respektohen turistët edhe lëkurën time. Më pëlqen, unë nuk kam asnjë fjalë të keqe për Shqipërinë”, ka thënë Andresa.

Mirela Milori: Ne të duam, na ke hyrë në shtëpi çdo të diel dhe me thënë të drejtën na je bërë si pjesë e shtëpisë sepse na i ngroh shtëpinë. Andresa Ambrosio: Zemra e Shqipërisë është e ngrohtë. Brazili është shtëpia ime sepse jam lindur aty, ndërsa Tirana është shtëpia ime sepse unë dua të qëndroj këtu. Mirela Milori: Cili është motivi i vërtetë që ke qëndruar në Shqipëri?  Andresa Ambrosio: Puna. Mirela Milori: Puna me të Dielën, me Arditin? Andresa Ambrosio: Jo, jo. Erdha me kontratë për balerinë, për të kërcyer nëpër restorante, pastaj një restoranti nuk i pëlqeu idea dhe u mbyll. Në këto momente unë flas me partnerin tim dhe më tha nuk do ikësh në Brazil sepse është shumë larg, ik në Itali ose rri këtu, e kjo ishte një risk.

Mirela Milori: Paske qëndruar për dashuri dhe jo për punë. Andresa Ambrosio: Punë vetëm 1 muaj, pastaj dashuri. Dashuria me Arditin vjen 3 muaj pasi qëndrova këtu. Anila Gjebrea foli me mua dhe më ftoi për 1 ditë që të kërceja në hapjen e sezonit për 10 minuta. Mirela Milori: Pra ty të ftuan të kërceje 10 minuta vetëm në hapjen e një sezoni televiziv, një ditë kërceve sambën tënde dhe ike, kaq. Andresa Ambrosio: Po, në studio Arditit i pëlqeu idea dhe më vjen propozimi për punë, pranova dhe funksionoi. Jam 11 vite me Arditin, 11 vite në Shqipëri dhe 11 vite me partnerin. Mirela Milori: Domethënë Shqipëria ka qenë fati jot? Andresa Ambrosio: Po.