Ri-infektimet nga Covid-19 janë relativisht të rralla, por janë më të shpeshta tek personat mbi 65 vjeç. Lajmin e bën me dije një studim i Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Danimarkë, i publikuar nga revista shkencore, “Lancet”.
Sipas studimeve, pjesa më e madhe e atyre që e kanë kaluar koronavirusin, duket se janë të mbrojtur për rreth 6 muaj. Duke parë të dhënat demografike të atyre që janë infektuar për herë të dytë, është zbuluar se bëhet fjalë për persona që i përkasin moshës 65-vjeçare ose me moshë më të madhe.
Studimi përqendrohet në rastet e riinfektimeve mbi një kampion prej 4 milionë personash në valën e dytë, nga shtatori në dhjetor, duke i krahasuar me valën e parë mars-maj.
Sipas studimit, rezulton se nga 11.068 persona pozitivë me Covid-19 në valën e parë, vetëm 72 prej tyre janë prekur nga virusi për herë të dytë në fazën e dytë. Kjo kategori, janë persona që i përkasin grupmoshës më të vjetër, me 47% mbrojtje, në krahasim me më të rinjtë që kanë regjistruar 80% mbrojtje nga virusi i rrezikshëm.