Kjo e shtunë ka shënuar ulje të rasteve me COVID krahasuar me një ditë më parë, por nuk ka ndryshuar numri i vitkimave. Ministria e Shëndetësisë raporton se në 24 orët e fundit janë shënuar 777 raste të reja dhe 21 humbje jete.
“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 21 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19: 9 qytetarë nga Tirana, 2 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Kolonja, 1 qytetar nga Dibra, 1 qytetar nga Korça, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Bulqiza, të moshave 22-87 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve”, thotë ministria.
Gjithsej janë kryer 3308 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 777 qytetarë.
Gjatë ditës së sotme janë kryer 1110 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 19,357 vaksinime. Në 24 orët e fundit janë shëruar 742 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 74,352 që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 639 pacientë, 35 në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.
Ministria e Shëndetësisë iu bën apel të gjithë qytetarëve të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital”, thotë ministria.