Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në forumin Ekonomik të Gruas, organizuar nga Dhoma Ekonomike e Gruas, në kuadër të 8 Marsit. Gjatë këtij eventi, i cili u zhvillua online, për të respektuar masat anti-covid, Ministrja Denaj, vlerësoi rolin e gruas në sipërmarrje dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. “Do të doja vetëm që të theksoja një element, tha Denaj, se asnjë aktor nuk funksionon dot më vete. Të gjithë aktorët së bashku krijojnë të gjithë instrumentat që i duhen një sipërmarrjeje. Promovimi i të gjithë këtyre instrumentave dhe gjithë këtyre aktorëve është një rol i rëndësishëm edhe i qeverisjes dhe ky aktiviteti sot është po aq i rëndësishëm edhe në këtë funksion”.
Ministrja theksoi, se “duhet të synojmë barazi gjinore në të gjithë aktivitetet tona dhe unë dua vetëm të ritheksoj një element të rëndësishëm që roli i Qeverisë është për të përgatitur politika të shëndetshme për barazinë gjinore dhe të krijojë mundësinë që aty ku ka diferenca t’i ngushtojë ato dhe kjo në rastin konkret shkon drejt gruas sepse ka diferenca, por fokusi është tek barazia gjinore”. Politika e qeverisë është për të krijuar një barazi, konkurrueshmëri, por aty ku ka hapësira ne ndihmojmë, tha Denaj, duke ftuar të gjithë aktorët të jenë më aktivë për mbështetjen e grave sipërmarrëse.
Strategjia kryesore që udhëheq veprimet për arritjen e barazisë gjinore në Shqipëri është Strategjia Kombëtare për Barazinë me objektiva specifike të fokusuara në: -fuqizimi ekonomik i grave dhe burrave, -garantimi i pjesëmarrjes dhe angazhimit faktik dhe të barabartë të grave në vendimmarrjen politike e publike, -reduktimi i dhunës me bazë gjinore dhe dh unës në familje, si dhe -fuqizimi i rolit koordinues dhe monitorues të mekanizmit kombëtar të barazisë gjinore, si dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë për avancimin e barazisë gjinore. Ndërkohë që gjatë viteve të fundit ka patur një rritje e numrit të programeve buxhetore gjinore nga 9 programe në 2015, në 38 në 2020, ndërsa fondet që adresojnë çështjet e barazisë gjinore ishin 7.2% e buxhetit total të Qeverisë për vitin 2020, ndërsa në 2021 buxheti arrin deri në 9% të PBB-së.