Vaksinimi i të moshuarve po vijon me ritme të shpejta. Deri më tani janë mbi 65 mijë të moshuar që kanë marrë vaksinën anti COVID. Në dy çadrat e ngritura në sheshin ‘Skënderbej’, të moshuarit që çdo ditë paraqiten për të marrë vaksinën anti COVID thonë se ndjehen më të lehtësuar pasi injektohen me dozën e parë. Edhe sot në ditën e 4 të vaksinimit masiv të moshuarit mbi 70 vjeç janë paraqitur në sheshin ‘Skënderbej’. Fillimisht janë ulur në karrige për të pritur radhën e regjistrimit dhe më pas kanë vijuar brenda për të marrë vaksinën antiCovid.
Pyetjes së Report Tv ‘si ndjeheni para vaksinimit?’ disa prej gjyshërve dhe gjysheve kanë dhënë këto përgjigje: “Mirë shumë mirë, duhet ta bëjmë patjetër, të shpëtojmë nga situata” “Më mirë nuk bëhet” “Kam klikuar në portale dhe i kam kontrolluar dhe qefin e kisha për vaksinën Pfizer por nuk kisha luksin për të zgjedhur” “Mirë keq, keq mirë do ta bëjmë”
“Si i lejnë gjithë këto njerëz në pikun e diellit, janë të sëmurë me zemër me tension, të kishin vendosur një tendë a diçka, po janë të sëmurë me zemër të gjithë” “Gjendje normale, nuk kemi ndonjë shqetësim. Do ta bëjmë siç po e bën gjithë bota” “Po patjetër si nuk do ta bëjë. Kur po e bëjnë të gjithë përse mos ta bëjë dhe unë” “Gëzohemi njëherë që po e bëjmë dhe moshat tona ta bëjnë këtë vaksinë sepse është e nevojshme për shëndetin tonë”
“U vaksinova, shpresat i kemi të mëdha që mos të na zërë, për një muaj do vijmë prapë të bëjmë të dytën” “Mirë asnjë problem deri tani. Ndihem më mirë nga ana psikologjike” “Shumë shumë mirë, vallaj me zor po prisja. Tani që e bëra vaksinën ishalla më ecën mirë, vetëm këtë kërkoj asgjë tjetër” “Doja të vaksinohesha dhe u vaksinova qetësisht. Me shpresë po do jem më i sigurt, them 99% po”