Ka vijuar edhe sot në ditën e dytë vaksinimi masiv i të moshuarve +70 vjeç në sheshin “Skënderbej”, ku procesi po zhvillohet me ritme të kënaqshme.
Agjencia Telegrafike Shqiptare ndoqi nga afër procesin ku të moshuarit kishin zënë radhë sipas rekomandimeve që ata kanë marrë nga mjeku i familjes, të cilët kanë përcaktuar edhe oraret e kryerjes së kësaj vaksine me qëllimin e vetëm që ky proces të funksionojë sa më mirë dhe pa krijuar radha apo vonesa.
Të moshuarit shprehen shumë të kënaqur që më në fund erdhi dhe kjo ditë që ata të kenë mundësinë të vaksinohen. Disa prej tyre madje shprehen se do të ndihmojnë edhe në sensibilizimin e qytetarëve të tjerë. Ata gjithashtu theksojnë se kanë besim në efektivitetin e vaksinës.
“Sapo e bëra vaksinën dhe shkoj gjithçka shumë mirë. Lajmërimin e kam dëgjuar nga media dhe erdha për ta bërë. Gjithashtu jam konsultuar edhe me mjekun duke i dhënë numrin e telefonit. Vaksinën e bëra me patjetër pasi shpëtoj veten dhe të gjithë të tjerët që kam rrotull”, tha një e moshuar për ATSH-në.
Një tjetër i moshuar tha për ATSH-në se, “ne menduam që bashkë me bashkëshorten që të vinim këtu dhe sapo u paraqitën, pa asnjë vonesë u vaksinuam. Shkoj gjithçka shumë mirë dhe ndihemi mirë. Vaksina që kemi marrë është ajo kineze dhe kjo është një gjë shumë e mirë që qeveria shqiptare po bën duke u munduar që t’i vijë në ndihmë popullit duke i plotësuar këtë nevojë të veçantë. Aktualisht jemi duke pritur që të kalojnë rreth 20 minuta sa të jemi të sigurtë që gjithçka do të shkojë shumë mirë”.
Deri tani janë kryer mbi 78 mijë vaksinime në të gjithë vendin.