Nga Ylli Pata/ Edhe pse një kohë e pazakontë për nisjen e një fushate elektorale, në një pandemi që ka ndryshuar gjithçka në stilin dhe jetën e njerëzve, hapja e një fushate elektorale është eventi më i rëndësishëm përpara fundit të saj, dhe më pas rezultatit. Hapja e siparit të betejës për të fituar qeverisjen e vendit përbën një objekt të rëndësishëm për të kuptuar, por edhe analizuar përgatitjen dhe seriozitetin e forcave në garë.
Ne pamë mbrëmë dy tablo thuajse njëkohësisht, që janë një letër lakmusi për të matur pehashin e dy forcave të mëdha në betejë: PS-së dhe PD-së. Përveç garniturës së skenografisë, koreografisë, apo skenarit të përgjithshëm të organizimit, “mishi” i kësaj menyje janë natyrisht fjala e kandidatëve për kryeministër të vendit.
Nga këto fjalime njerëzit shikojnë dhe mendojnë se sa brumë politik kanë dy rivalët realë për postin më të rëndësishëm të Republikës së Shqipërisë. Lulzim Basha, lideri i opozitës dhe kryetar i PD-së foli i pari. Një fjalim që nuk ishte shumë i gjatë, e nga ky aspekt pritej të ishte intensiv e inspirues.
Megjithatë ajo që u vu re në fjalimin kryesor që hapi siparin e fushatës elektorale të PD-së, “honet” dhe mungesat ishin të dukshme. Lulzim Basha mbajti një fjalim retorik kryekëput. Stilistika, fuqia inspiruese, finesa dhe pasuria e fjalorit mund të jetë temë debati e këtu secili mund të gjejë atë që ka ndjerë, qoftë edhe në bazë të subjektivizmit të tifozllëkut politik.
Megjithatë reçensa e kësaj pjesë, nuk është se i jep një ngjyrë të balancuar diskutimit, ngaqë natyrisht secili ka krijuar përshtypjen e vet. Megjithatë, e dhëna faktike e fjalimit bazik të liderit që kërkon të bëhet kryeministër i vendit është e qartë: Lulzim Basha nuk foli për asnjë nga piketat bazë që një forcë politike i paraqet popullit si platformë për të qeverisur vendin. Asnjë!
Nuk foli asnjë fjalë për kryeproblemin e vendit, që është pandemia e Covid 19, asnjë fjalë për zhvillimin më të fundit në këtë fushë, siç është ardhja e sasive masive të vaksinave Sinovac. Njerëz të opozitës i kundërshtuan këto vaksina, por cili ishte qëndrimi zyrtar i Lulzim Bashës? Edhe nëse është kundër, duhet ta thoshtë, duke u përballur flakë për flakë me lajmin më të rëndësishëm të ditës së djeshme, që realisht eklipsoi në audiencë edhe nisjen e fushatës elektorale.
Mungesa e një qëndrimi zyrtar të PD-së për këtë aspekt kaq vital, thjesht e dërgon në periferi orientimin politik të opozitës.
Gjithashtu në fjalimin e Bashës, nuk pati asnjë nga piketat programore si do ta nxjerrë vendin qeveria e re nga bllokimi që ekonomisë i ka shkaktuar pandemia. E njëjta gjë mund të thuhet për çështjen e dytë kyçe siç është rindërtimi, të cilin mjaft nga mediat dhe qarqet e PD-së sulmojnë kryeministrin.
Çfarë do të bëjë PD-ja nëse vjen në pushtet me kontratat e nisura, me fondet e kontraktuara dhe planet e firmosura? Si dhe cila do të jetë zgjidhja finale e opozitës për të rikthyer ata që u dëmtuan në shtëpitë e reja? Por nuk ishin vetëm këto dy prioritete që nuk u cekën në fjalimin e Bashës; nuk kishte asgjë tjetër të platformës politike që opozita sjell si ofertë për vendin.
Ndërkaq, le ta marrim për të mirëqenë se PD nuk dëshiron të bëjë fushatë “Për” por “Kundër” Edi Ramës dhe qeverisjes së tij 8 vjeçare. Edhe në këtë aspekt Lulzim Basha në fjalimin hapës nuk elaboroi asnjë tezë të kësaj taktike, nuk dha një fabul të arsyeve që shtyjnë opozitën që të bërtasi “Rama Ik”.
Padyshim që shumë mund të thonë që ka kohë dhe Basha mund t’i trajtojë çështjet në vazhdim, por fillimi është gjysma e punës dhe inagurimi i fushatës përbën gurin e parë kilometrik të një beteje zgjedhore.
Të mos e ngulësh këtë gur, është natyrisht një minus i madh. Edi Rama, nga ana tjetër, kishte një fjalim të strukturuar në dy pjesë: atë kundër dhe pjesën pro. Në pjesën e parë, Rama u ndal dhe preku të gjitha tezat e PS-së (jo të panjohura, po të stërthëna) të mesazhit negative ndaj kundërshtarit, kryesisht mesazhit që PS synon ta drejtojë tek drejtimi “Berisha-Meta-Kryemadhi si rrezik potencial sipas saj.
Ku gjithashtu ka pasuruar panoramën edhe me elementë dhe figura të tjerë të skuadrës së opozitës. Në pjesën tjetër të fjalimit, Rama ka folur për planin politik të mazhorancës për mandatin e tretë, njëherë si “domosdoshmëri”, sipas tij, por edhe detajimin e planeve, projekteve, afateve dhe drejtimeve që synon mazhoranca ta çojë vendin.
Kjo ishte mjaft e qartë në fjalimin hapës të fushatës elektorale të PS-së. E që në fakt ja vlente të diskutohej mbrëmë në panelet e darkës, për t’ju dhënë mundësi shqiptarëve të jenë sa më të qartë dhe sa më të mbushur mbi përmbajtjen e propozimeve politike të dy kampeve. Por debati, edhe kur ishte Rama në panel, edhe në të tjerët, devijoi në qasje periferike…